skenderbeg

geizhals

 

albaniaC1 USA Dr MEHMET RUKIQI Harta 309
www.shqiperiaetnike.de
image_misc_scanderbeg
120
mehmet rukiqi

Dr. Mehmet RUKIQI

ELEMENTET TË NACIONALIZMES SHQIPTARE NË KËNGËT EPIKE PËR SHABAN POLLUZHËN

      • “Në Ballkan, historia përsëritet me një rregullsi të çuditshme. Popujt e këtij gadishullit kurr s’kan arritur t’i lajnë hesapet me njeri tjetrin deri në fund, sepse, ngaherë janë të thyer prej një armiku të përbashkët”
      •  Edith Durham

        1. Nacionalizma-i, nga latinishtja natio-komb dhe frengjishtja nationalisme-patriotizëm, ishte lëvizje politiko-shoqërore dhe kulturore, në kohën e krijimit dhe të afirmimit të kombeve. Ishte luftë kundër okupatorëve, për çlirim dhe pavarësi. “Vetëm perioda e shkurtër e Skënderbeut, përmban forcën e një Nacionalizme Shqiptare. Në fjalimin që Skënderbeu e mbajti në Mbledhjen e Parisë Shqiptare në Lezhë, më 2 mars 1444, tha: “Fuqitë e Shqipërisë u ngjajnë rrëkeve të vogla, që rrjedhin në drejtime të ndryshme. Në qoftë se këto rrëke bashkohen, atëherë bëjnë një lum të madh e të fuqishëm.

        Shekulli XV i Rilindjes, përkatësisht i Humanizmit dhe Renesansës, zbuloi njeriun. Shekulli XIX përkatësisht i Rilindjes Kombëtare zbuloi kombin. Napoleoni III  (1808-1873), e quajti shekulli i Nacionalizmës. Kombe të vjetra e në prag të shuarjes nga faqja e dheut, kishin zënë të zgjohen dhe të kërkonin të drejta ekzistence dhe intependente.  Këto të drejta do t’i fitonin me gjak. Shqiptari akoma flinte. Ishte në gjumin e rëndë të shekullit. U desht gjëmimi i topave ruse në portat e Stambollit; Traktati i Shën Stefanit dhe Traktati i Berlinit, që të zgjohet edhe ai dhe të hynte në skenën e Nacionalizmës. Shpirti i shqiptarit ka qenë anarkist. Kurrë nuk ka pasë ide shteti, as që ka formuar shtet gjatë shekujve. S’mund të thuhet se qeverimi i Ali Pashë Tepelenit dhe i Bushatlinjëve, ka patur karakter shteti shqiptar. U mungonte ideja shtetërore. S’e patën as meritën e Mehmet Aliut, i cili krijoi Shtetin Egjiptian. As ndonjë popull nuk del nga gjendja e veçimit dhe e skllavërisë, kur është i edukuar në disiplinë të jashtëzakonshme dhe i pjekur vetëm për jetë politike, sepse, nën sundimin e huaj kurrë nuk kuptohet zhvillimi i lirisë.

        Nacionalizma shqiptare, në kuptimin e plotë, e ka fillin në Lidhjen e Prizrenit. Gjer atëherë, lëvizjet e vërteta nacionaliste qenë fare sporadike dhe të vetmuara. Mund t’i gjejmë në ëndërrimet poetike të De Radës, në Itali, dhe në përpjekjet gjuhësore të Naum Veqilharxhit e të Kostandin Kristoforidhit, në Shqipëri. Vetëm atëherë, shqiptari zë të mburrët për kombin e vet e të thotë, me krenari, se jam shqiptar. Megjithatë, nën regjimin e ndritur e të fortë të mbretit Ahmet Zogu, edhe shqiptari zuri të formohet dhe t’i rrënjosët në shpirt ideja e shtetit. Ideali bazë i nacionalimit, në çdo epokë të historisë shqiptare, është dhe do të jetë dashuria e atdheut dhe lufta, nga të gjitha aspektet, për mbrojtjen dhe prosperitetin e tij”.

         

        2. Shaban Polluzha, me tërë qenien e tij, i takoi të “Djathtës Shqiptare drejtë Shqipërisë Etnike”. Që nga viti 1918, luftoi për çlirimin e trojeve shqiptare dhe për mbrojtjen e kufijve të tërësisë së tyre. Ishte komandant legjendar i luftës së armatosur të popullit të Kosovës, kundër okupatorit shekullor serbë. Kontributin e tij s’pati mundësi ta mbuloj as pluhuri i harresës së dhunshme të regjimit gjysmëshekullor komunist.

        Dr. Salih Berisha, ish-president, e tani kryeministër i Shqipërisë, Shaban Polluzhën, më 1992, e dekoroi me Urdhërin e Klasit të Parë- “Luftëtar dhe patriot i paepur për lirinë e trojeve shqiptare dhe për bashkimin kombëtar”.

        Në formimin e tij ndikuan patriotë të shquar, që pat kontaktuar apo dëgjuar për ta, si: Hasan Prishtina, Ahmet Delia, Isa Boletini, Azem Galica e kaçakët më të afirmuar,  si: Dan Deroci, Emin Lati, Fazli Berani, Ker Sadri Bardhi, Ilaz Raçaku, Xhemë Tërnafci , Zenel Leku e Lec Gradica. Frymëzohet nga veprimtaria e pjesëtarëve të shquar të Nacionalizmës Shqiptar, në Drenicë e më gjerë, si: Bedri Pejani, Hilmi Zariqi, Ibrahim Banushi, Ibrahim Lutfiu , Ibrahim Spahiu, Iljaz Agushi, kapiten Shefqet Bylykbashi, kolonel Sylejma Kastrati, Miftar Bajraktari, mulla Asim Luzha, mulla Ibrahim Palaci,  mulla Iljaz Broja, Nexhip Draga, prof. Gjon Serreqi, prof. Ymer Berisha, Qamil Hoxha e Rexhep Mitrovica. Mbante lidhje edhe me kryetarë e deputetë shqiptarë, që kishin pranuar pozita në qeverinë jugosllave, për t’i ardhur, sadopak, në ndihmë popullit të vet të shtypur e të pambrojtur, si: Ahmet Shtimja, Banush Sedllari, Ram Bllaca, Sadik Zeneli, Sherif Voca e Tahir Berisha. 

        3. Në këngët për jetën dhe veprimtarinë e Shaban Poluzhës, dëshmohen virtyte të larta, në veçanti, besa, burrëria e guximi. Qëndresën e kishte metaforë të jetës. Në oda e tubime burrash, përherë e pat vendin e nderit. Fliste rrallë e me maturi. Më tepër ishte dëgjues se orator. E donte folklorin, e sidomos anekdotat e këngët e trimërisë. Në çastet më të vështira, nga brëngat e luftrat i ftonte pranë mahitarët, si: Çun Veliqin, Hajredin Balën, Latif Shapetën, Sadri Kaçamakun e Shaban Çitakun. I ofronte edhe këngëtarët më të shquar, si: Dervish Gugjulin, Habib Kukiqin , Cuf Kadishanin, Mal Sylën e Brahim Rexhen, Januz e Hamit Rukiqin, Sefer Bequkun e Riza Strellcin. Si duronte lavdatat e gënjeshtrat.

         “Halim Bajraktari i Klinës së Epërme ishte krijues dhe këngëtar i parë, që me lahutë, këndoi këngë për axhën Shaban. Ishim në kullën e Zymer Malës në Rezallë, së bashku me Shtabin e Brigadës, afërsisht më 10 shkurt 1945. Përveç komandantit, ishin edhe Isuf Gjilani, Ukë Sadiku, Rexhep Gjeli etj. Më kujtohet kur axha Shaban i tha: Halim, kurrë mos ma kno kangën për së gjalli”. Reagonte shpejt e me përgjigje të papritura. Vërejtjes së një nëpunësi serb: “Ktheje gazetën marë”, i përgjigjet: “Marë e kno gjithkush, po pardon i koftë atij si gazetat e Beligradit i knon edhe mrapsht”. Ishte kundër lojës me idetë dhe mendimet sipas modës “filozofike“, nga fryma e re. Ishte kundër mburrjes së tepërt dhe servile për ndonjë sukses të arritur. Nuk punonte çdo gjë të jashtme, të huaj dhe të pavlerë në kulturën shqiptare. Luftonte pasionet e dobëta, interesat personale dhe përbuzjen e parimeve tradicionale dhe demokratike. Përkrahte fuqinë morale të aspiratave më të larta njerëzore e kombëtare. Ishte i pathyeshëm në mbrojtjen e lirisë dhe të atdheut.

         Këngët popullore historike për Shaban Polluzhën janë detaje me rëndësi historiografike dhe informative; jehonë e kryengritjeve dhe luftrave të armatosura për çlirimin kombëtar; kronika më besnike dhe mënyra të trajtimit artistik të idealeve për liri; ndihmesa për zbërthimin e kontradiktave, paqartësive e pasaktësive kronologjike dhe përmbajtje të shprehura në mënyrë enciklopedike. 

        Nga rapsodë e tregimtarë flitet: “Shaban Polluzhën e thërret majori i xhandarmërisë në Mitrovicë. E pret me fjalë të randa, Çfarë kryetari je ti? Kaçakët ta kanë marrë Drenicën! Ti edhe vet po i mbanë Azem Galicën e Dan Derofcin, Emin Latin e Fazli Beranin, Kamer Loshin e Lec Gradicën, Lutë Gllanasellën, Mehmet Delinë e Mursel Ahmetin! Shabani veç e ngojke edhe e këqyrke për seri. Po, kur nisi m’e sha e po do me i ra, brofi në kambë. Ia ngjiti për fyti dhe e shtrëngoi deri sa iu zbardhën sytë.

         

  •  I bërtet me za t’naltë:
    • Mos llomat more i biri qenit,
    • Se ta qes kryet pej venit.
    • Mos m’shurdho more i biri shkinës,
    • Se t’i la trutë n’skaj t’tavolinës.
    • Dhe, pa i dhanë afat të merr frymë:
    • Me dorë t’shmajt për gushe ia ngjiti,
    • Me dorë t’dhjathtë shuplakë ia zdriti.
    • S’dyti herë me grusht e priti,
    • N’kokërr t’shpinës n’tokë e qiti.
    • Lajmi se “Shaban Polluzha e rrahi komandantin e xhandarmërisë, mori dhenë. Prej asaj dite, Shabanit i hypi za për trimni t’rrallë. Këngët për te marrin hov të veçantë të krijimit dhe të interpretimit në vitet 1941/43, kur Kosova ishte nën okupimin fashist gjermano-italian dhe bullgar. Në këtë periudhë, njësitet çetnike serbo-malazeze sulmonin kufirin verior. Vritnin e masakronin popullatën shqiptare e të tjerë, që i takonin besimit islam. Sipas rapsodëve, Shaban Polluzha ishte komandant i batalioneve vullnetare, thuajse nga të gjitha regjionet e Kosovës, për ta mbrojtur kufirin dhe popullin, në territoret e Bihorit, Çakorit, Jeni Pazarit, Koloshinit e Rozhajës. Arrin t’i thejë e t’i shpartallojë bandat kriminele të Drazha Mihajloviqit, i cili, sipas këngës, paska thën:

  • Mos t’ish kanë Drenica e Rugova,
    • Me Shingjergj m’priti Kosova.
    • Liderë komunistë serbë e malazezë në këtë periudhë, si Milladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Pavle Joviçeviqi e Svetozar Vukmanoviqi propagandonin, këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptarë për luftë të përbashkët kundër fashizmit. Lexonin rezoluta nga Konferenca V e PKJ-së më 1940, nga Karta e Atlantikut më 1942, nga ajo e Teheranit më 1943 etj. se: “Pas LNÇ-së, shqiptarët do të gëzojnë të drejtë vetvendosjeje deri në shkëputje”. Shqiptarët hyjnë në LANÇ si popull e jo si minoritet. Megjithatë, gënjeshtrat e ujqëve të veshur në lëkura qengjash, demaskohen shpejt. Falsifikohen vendimet e Pezës, të Mukjes e të Bujanit. Shaban Polluzha, ndër të parët në Kosovë, e kupton tradhtinë sllavo-komuniste, ndaj i shpall luftë.

      Në nëntor të vitit 1944, Kosovën e çliruar nga shqiptarët, e sulmojnë ushtritë partizano-çetnike serbe e malazeze. Më 5 dhjetor 1944, me urdhërin e të ashtuquajturit “Shtabi Operativ i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare”, bëhet shtetrrethimi edhe i Drenicës, me motiv të “zënies së Mehmet Gradicës”. Kulla e Tal Seferajt në Gllogofc, ku ishte vendosur Shtabi i Brigadës së Parë Patizane, nën komandën e Zufer Musiqit dhe Hani i Skënderajt, me urdhër të “Komandës së Vendit”, nën drejtimin e çetnikut Vlado Raiçeviq, u improvizuan në kasaphane. U masakruan burra më të njohur nga Paria e Drenicës. Me bojaneta e çekiça, nën zhurmën shurdhuese të daulleve dhe të valleve çetnike mbi ta, mbyten mbi 300 veta.

      Brigada Çlirimtare e Drenicës, në krye me komandantin Shaban Polluzha, iu kundërvu kësaj veprimtarie gjakatare. Të masakruarit nxirën nga lumi Klina, nga gropat e furrat e mëparshme të gëlqeres dhe hendeqet. Ekspozohen në pjesën lindore të qytetit. Ishte fillimi i janarit të vitit 1945. Sipas këngës “Besa me t’pabesin”, komandanti qëndron i shtanguar para viktimave të një terrori të paparë. Në jetën e tij, kurrë s’kishte përjetuar brengë më të thellë:

    •   Shaban Polluzha me zemër t’lnueme,
    • I këqyrë xhenazet e copëtueme.
    • Dej atë ditë ‘kush s’e kish pa,
    • Lotë për f’tyre tuj i ra.
    • Në vendin e ngjarjes vjen edhe Fadil Hoxha, komandant i Shtabit Operativ të LANÇ-së për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, me disa bashkëpunëtorë:
    • Shaban Polluzha iu ka drejtue, 
    • Fol Fadil! Fol çka po thue?

      Ku met besa si ta kanë dhanë,

      Se s’asht Serbia ajo si u kanë?

      Jo, “si u kanë“, po shumë ma zi,

      Me na vra e me na gri.

      Këqyri tash vllaznit e tu,

      T’myttë me thikë, me tel e dru.

      Me çekiça kryet e damë,

      T’preme hundë e duer e kamë.

      Këqyri vllaznit e tokës tane,

      Sikur mishi n’kasaphane.

      Kush t’i ze, Fadil, besë Serbisë,

      N’fyt e ka majën e singisë.

      Edhe sa t’ka diell tokës me i ra,

      S’ka shqiptari besë me shka.

      Brigada e Shaban Polluzhës, në gjysmën e parë të janarit 1945, niset për Srem. Në Podujevë e hetojnë tradhëtinë e kurdisur nga çetnikët serbë. Në foltoren e përgatitur, Shabani thot: “Nëse vazhdojmë rrugën për Srem, do të likudohemi ende pa arritur në vend. Këtu do të bëhet tmerr mbi familjet e popullit tonë”. 

  • Flet edhe Miftar Bajraktari i Llaushës, truri i Brigadës, këshilltar dhe bashkëluftëtar i parë i Shaban Polluzhës:
    • Na për Srem s’domë me shkue,
    • As Kosovën s’domë m’e l’shue.
    • Hajdëni t’kthehem kah jemi ardhë,
    • N’ven tonë t’desim me faqe t’bardhë.
    • Se gjithmonë adet u kanë,
    • Qenit besë mos me i zanë.
  • Në këngën “Çka po thotë Shaban Polluzha”, jepën detaje nga kthimi i Brigadës së Drenicës prej Podujevës. Në Kodër të Bajmofcit, afër Barilevës, ndalen, pas një marshimi të gjatë:
  •  Se n’Bajmofc kur janë dalë,
  •  Me pushue kokan nalë.
  •  Shaban Polluzha po rrinë përballë,
  •  Paska nisë e po manë fjalë.
  •  -Dine mirë more v’llazni,
  •  Se n’luftë madhe sod jem hi.
  •  E nisëm luftën me pesë ballkane,
  •  E me t’zezën Rusinë e Madhe.
  •  Shtirë e kemi me fitue,
  •  Po sikur burrat domë me luftue.
  • Kënga “Çka po thotë Asim Luzha”, përkujton mulla Asim Luzhën nga
  • Gjakova, ish-deputet i Drenicës në Parlamentin Jugosllav, prej 1938-1941. Ishte edhe një nga dashamirët më të afërt të Shaban Polluzhës. Më 31 janar 1945, nga Shtabi Operativ në Prishtinë, dërgohet në Drenicë, kinse për të ndërmjetësuar, në ndaljen e luft:
  •  Asim Luzha ni hoxhë azgan,
  •  Pej Prishtinës nisë koka kanë,
  • Drekën gjysë e paska lanë,
  • Ni besë të Zotit e paska dhan,
  • Për Drenicë me u ba kurban.
  • Po atë ditë, kriminelët organizojnë plojë masive, në lagjet Mulaj e Spahiaj. Vriten 51 veta, ndër ta edhe fëmijë, gra e pleqë. Në pabesi, vritet edhe Asim Luzha, pasi ia fusin në xhep bombën e aktivizuar dhe e vërvisin shkallëve të kullës:
    • Fort mërzitet Shaban Polluzha,
  • Sod na u vra edhe Asim Luzha.
  • Sa t’jenë jeta me jetue,
  • Kurrë Drenica s’ka m’e harrue.
  • S’e harron kët deputet,
  • Ja dha votet për shumë vjet.
  • Në përbërje të Brigadës së kriminelit Zufer Musiqit, ishte edhe Batalioni i IV i Rinisë. Shumica ishin shqiptarë. Isuf Gjilani ishte komandant e Raif Halimi komeser. Masakrave në Tërstenik iu përgjegjën me dezertim, me komplotin për asgjësimin e shtabit të batalionit, në Kullën e Sheshivar Alisë në Prekaz dhe me bashkimin thuajse të tërë batalionit të tyre me Brigadën e Drenicës. Isufi e Raifi u zgjodhën anëtar të Shtabit:
  • Isuf Gjilani pika e djalit, 
  • Ia kthej pushkën gjeneralit,
  • Raif Halimi i Cërnicës,
  • Nam të madh i la Drenicës.
    • Këta dy trima si zojë t’dragonit,
  • E vranë Shtabin e Batalionit.
  • Në këngën “Shaban Polluzha i kap dyrbitë”, pasqyrohet lufta përfundimtare e Shaban Polluzhës, në krye të Brigadës së Drenicës, me ata pak luftëtarë dhe anëtarë të Shtabit, që u gjendën në kulla të Dvoranëve në Tërstenik, më 21 e 22 shkurt 1945:
  • Shaban Polluzha i kap dyrbitë,

    N’frengji të kullës koka avitë.

    M’anë pej bjeshkës i lëshon dyrbitë,

    I sheh asqerin t’u u avitë.

    I sheh asqerin përpjet’ t’u u ngjitë,

    Si murtaja kur vjen pa pritë.

    Vijnë si vala e detit t’Zi,

    Kullës t’Dvoranit ja kanë sy.

    Sy ja kanë kullës t’Dvoranit,

    Ku ish Shtabi i Brigadës s’Shabanit.

    Rrethohen nga Divizioni 52 i Ushtrisë Jugosllave, i komanduar nga gjenerali Petar Brajoviq, antishqiptari më i tërbuar i asaj kohe. Në luftën e përgjakshme, edhe ai plagoset rëndë dhe, gjatë tërë jetës, mbetet invalid:

     Komandanti i lëshon dyrbitë,

    Shpejt mamzerres ia ka ngjitë.

    Kap mamzerren burri i Shqipnisë,

    Si Bajram Curri n’shpellë t’Dragobisë.

    Ja drejtojka gjeneralit,

    Po ja lypke lulën e ballit.

    Medet Petri paksa u nalë,

    E pej thumit i paska dalë.

    S’e muer n’ball ku pat menue,

    N’gazhdër t’gunit ia ka qëllue.

    Pushka e komandantit ishte alarm. Të gjithë i kapin armët. Hudhën në luftën më të përgjakshme, për jetë a vdekje. Theksohen Mehmet Gradica, Rexhep Gjeli e Ali Kastrati:

     Mitralozi i Mehmet Gradicës,

     E çoi peshë këtë anë t’Drenicës.

     Breshën plumash sikur qet farë,

     N’divizionin gjakatar,

     Po i le t’shtrimë si duejt n’për arë.

    Dhe më në fund:

     Luftuen trimat pa u frigue,

       Shumë herë veten e kanë pague.

     Nam të madh i lanë Drenicës, 

     Si Oso Kuka n’Kullë t’Vranicës.

    Këngët për Shaban Polluzhën dëshmojnë për shkathtësi luftarake të nivelit të lartë dhe strategji e art luftarak. Morali i lartë i Shaban Poluzhës, në mënyrë të veçant i kontribuojë pavdekësisë së tij në cilësi në e komandantit historik. Përmes këngëve, rapsodët popullor, artistikisht, jetësuan Shaban Poluzhën duke e trajtuar si tribun të pavdekshëm. Ofruan të dhëna për karakterin popullor, aftësinë artistike , filozofike e gjuhësore të krijuesve rapsodëve popullor. Edhe këto këngë janë “art popullor i angazhuar, për tua çelë sytë njerëzve, duke i porositur që të mos mbyllin dot, para fakteve e problemeve të vështira, para zgjidhjeve të papranueshme dhe para alternativave tragjike”.

Kthehu tek faqja Kryesore1

Copyright © 2006 nue_oroshi@yahoo.de

[FAQJA KRYESORE] [E DJATHTA SHQIPTARE] [KUMTESA] [AKTIVITETE] [LIBRAT E BOTUARË] [MATERIALE] [SESIONET] [OPINIONE] [RECENZIONE] [KULTUR] [PORTRETE] [STAFI DREJTUES] [ALBUMI FOTOGRAFIKË] [LIBRI VIZITORVE] [KONTAKT]