skenderbeg

geizhals

 

albaniaC1 USA Dr SC BEQIR META Harta 309
www.shqiperiaetnike.de
image_misc_scanderbeg
120

Dr sc Beqir Meta

NACIONALIZMI SHQIPTAR GJATE LUFTES SE DYTE BOTERORE

Nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më i ri përveç nacionalizmit maqedon. Dhe si i tillë është përballur kurdoherë me mangësitë e rritjes. Kjo veçori është produkt i kushteve specifike të zhvillimit historik të popullit shqiptar në dy shekuj e fundit. Rilindja kombëtare shqiptare ishte një fenomen relativisht i vonë historik. Njëkohësisht një proces i cili u përshkua nga vështirësi të mëdha dhe që në disa aspekte mbeti i papërfunduar.
Copëtimi i trojeve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha, i cili ishte më radikali në Ballkan dhe në Europë, paaftësia e nacionalizmit shqiptar për t’ju kundërvënë këtij copëtimi me anë të një organizimi gjithëkombëtarë dhe me efiktevitetin e potencialin maksimal të kombit shqiptar, janë një dëshmi tjetër e faktit se ai ende se kishte përfunduar procesin e zhvillimit dhe konsolidimit institucional.
Ndërsa vështërsit e mëdha dhe anarkia totale qe perfshiu Shqiperine pas shpalljes se - pavarsisë, Jo-vetëm që përforcon konkluzionin e lartpërmendur, por gjithashtu evidenton edhe nji difekt tjetër të nacionalizmit të ri e të pa pjekur Shqipëtar - dobësit dhe kapacitetet e kufizuara të tij në procesin e shtetformimit.

Prej robërisë së gjatë shqipetarët kishin humbur kuptimin e bashkimit.
Helmi i propogandës së huaj kishte brejtur dhe paralizuar fijet e nervave të kohëzionit kombëtar. Grindjet, armiqësitë, depresioni moral, interesat egoiste dhe antikombëtare dhe anarkia kishin triumfuar mbi nacionalizmin dhe po e nxinin avenirin e një Shqipërie autonome .
Nga ana tjetër është e domosdoshme të nënvizohet se nacionalizmi shqiptar ka një dallim esencial nga nacionalizmat e tjerë ballkanik. Ai nuk është ekstrem, nuk ka parashtruar revizionizmin e dhunshëm territorial, nuk bazohet në fondamentalizmin fetar dhe në eksluzivizmin etnik.

Është e padiskutueshme se si për problemm e tërësisë tokësore të Shqipërisë etnike, ashtu edhe në procesin e sendërtimit të shtetit shqiptarët u ndodhën përballë një presioni të fuqishëm të jashtëm me karakter ushtarak, politik, ekonomik etj., i cili ishte në një disproporcion të theksuar me kapacitetet e rezistencës së tyre. Por ky fakt nuk duhet të mbulojë dobësitë e nacionalizmit shqiptar, të cilat u shfaqën qartë por në një trajtë më pak tragjike edhe në përfundim të Luftës I Botërore. U duk sikur ato u kapërcyen në vitin 1920 ( me sukseset madhore e triumtante të nacionalizmit shqiptar: Kongresi i Lushnjës dhe lufta e Vlorës, por përsëri u bënë hapa prapa në situatën e turbullt dhe anarhike të viteve 1921-1924, ku përpjekjet për të ndërtuar një demokraci embrionale, rezultuan në ballafaqime të ashpra ushtarake e politike që e tronditën nga themelet shtetin e ri të brishtë shqiptar. Kjo periudhë përbënte një disfatë të rë të nacionalizmit shqiptar, ndonëse ajo shënonte etapën e parë për ndërtimin e një demokracie institucionale në Shqipëri. Divergjencat sociale e politike ekzistojnë në çdo shoqëri civile, por në Shqipëri ato kanë patur si karakteristikë thellësinë, ashpërsinë dhe kalimin e tyre të shpeshtë në kriza politike me pasoja rrënuese për shtetin dhe kombin. Dobësia e nacionalizmit dhe e politikave kombëtare kanë bërë që lufta politike shpesh të degradoj në përleshje klasore të pakontrollueshme nga opinioni shqiptar.

Periudha e sundimit të Ahmet Zogut mund të vlerësohet si suksesi më i madh i nacionalizmit shqiptar për arsyen e rëndësishme se duke instaluar një regjim autoritar ai arriti ta fuste shtetin shqiptar në rrugën e konso1idimit. Zogu arriti të shtypë tendencat centrifugale, aq të fuqishme dhe mbi to vendosi autoritetin e tij dhe të shtetit që ai drejtonte. Edukata dhe institucionet kombëtare si dhe ideologjja nacionaliste bënë hapa impresionues. Mirëpo përçarja kombëtare nuk u eliminua. Shumë kundërshtarë të Zogut si ato që përbëjnë rrymën demokratike-republikane ashtu edhe individë të tjerë që ishin, nacionalistë të njohur, u inkuadruan në sistemin e ri poliitik. Ata përbëjnë një burim potencial pë grindje e përleshje në të ardhmen. Në këtë mozaik nuk mungonin edhe individë apo grupe jonacionalistë, separatistë të ci1at herë pas here e ngrinin kokën, por që në përgjithësi u detyruan t'i nënshtrohen rregullit dhe ligjit, për arsye të efektivitetit të shtetit.

Pushteti italian gjatë vititi 1939 e ndërpreu në mënyrë të dhunshme këtë proces duke shembur dhe eleminuar shtetin e pavarur shqiptar. Në këto rrethana dolën në pah përsëri dobësitë e vjetra të nacionalizmit shqiptar. Një rrymë që ishte më pragmatistja dhe më egoistja e përshëndeti këtë eveniment dhe mori pjesë në administratën civile e ushtarake që krijuan italianët. Vendimi i Asamblesë Kushtetuese të vitit 1939 për t'i dhënë kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit, edhe pse në të bënin pjesë vetëm disa nga anëtarët e parlamentit të mëparshëm edhe pse është e ditur që ky vendim u mor nën kërcënimin e bajonetave italiane, nuk përbën një rekord pozitiv për nacionalizmin shqiptar. Rrymat e tjera nacionaliste mbeten një qëndrim parimor kundrejt pushtuesit. Mbështetësit e Zogut që më vonë do të formonin Lëvizjen e Legalitetit pranuan të luftonin kundër pushtuesit dhe të merrnin pjesë në një front kombëtar të rezistencës. Ata ishin aktivë në Konferencën e Pezës që ishte thirrur për të vënë themelet e këtij bashkimi. Mirëpo pikërisht këtu. dhe në vijim ato dëshmuan dobësi, paaftësi dhe mungesë vizioni politik. Ata nuk u përpoqën që ky bashkim të ndërtohej mbi bazën e njohjes dhe afirmimit të 1egjitimitetit të shtetit shqiptarë, ndonëse aspironin restaurimin e Zogut e te monarkisë. Zogistët dhe një pjesë e nacionalistëve të tjerë që u bashkuan me komunistet në një grupim të përbashkët politiko-ushtarak i cili quhej Fronti Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë, megjithëse fillimisht ishin shumë të fuqishëm, madje mund të thuhet edhe në shumicë brenda këtij grupimi, duke qenë të paorganizuar, pa një vizion të qartë politik, u absorbuan gradualisht prej një bërthame të vogël por shumë të organizuar komuniste, e cila në vitin 1943 drejtonte efektivjsht Frontin Nacional dhe forcat e tij të armatosura. Kjo ishte një dëshmi tjetër e dobësive të nacionalizmit shqiptar.

Grupimi i më i fuqishëm nacionalist ishte ai i Ballit Kombëtar i cili kishte një vijë të spikatur republikane e demokratike. Këtu përfaqësohen gjerësisht. inteligjencia e re nacionaliste shqiptare e cila aspironte për një Shqipëri etnike dhe demokratike. Ata ishin kundërshtar të autoritarizmit zogist gjë që ishte një fenomen pozitiv i mirëpritur për zhvillimin politiko-shoqëror të Shqipërisë. Por duke dhënë shumë pas antizogizmit, kjo forcë e madhe politike kishte një qëndrim joadekuat. Kundrejt afirmimit të legjitimitetit të shtetit shqiptar. Bashkë me monarkinë dhe totalitarizmin e Zogut ata sfiduan, ose të paktën injoruan me situatën e rrezikshme të luftës edhe problemin shumë të rëndësishëm e delikat të rivendosjes së legjitimitetit të shtetit shqiptar, i cili po sulmohej nga të gjitha anët: nga pushtuesit, nga fqinjët lakmitarë, dhe nga aleatët, të cilët për motive e interesa të ndryshme po godisnin pa pushim legjitimitetin e shtetit, që mishërohej tek përfaqësuesit kushtetues të tij. Mbreti Zog dhe qeveria mbretërore shqiptare. Kjo ishte një kuotizim që ndonëse në mënyrë të tërthortë, pati ndikim të madh në dobësitë dhe pengesat që ndeshen nacionalistët shqiptar për organizimin e bashkimin e tyre. Ekzistonin edhe shumë individë me ndikim e pushtet të fuqishëm në krahina, e veçanta të vendit, të cilat-aspironin të ruanin pozitën e tyre në këto domene.

Në këto rrethana të një copëzimi, shumë të madh të forcave nacionaliste u thirr edhe Mbledhja e Mukjes. Ajo ishte një përpjekje e rëndësishme për ta eleminuar përçarjen dhe për të vënë bazat e realizimit të objektivave të vjetra të nacionalizmit shqiptar, të cilalt deri në këtë periudhë kishin mbetur të parealizuara. Pra krijimi i një shteti kombëtar në trojet etnike shqiptare dhe një sistem demokratik e progresiv qeverisje. Duke ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar Marrëveshja e Mukies përcaktoi si synim madhor bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Ky vendim nuk ishte shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem. Kufinjtë në Ballkan ishin vendosur sipas konsideratave të Fuqive të Mëdha duke u bazuar në rregullat e balancës së forcave midis tyre. Nuk u mor parasysh e drejta e vetvendosjes së popujve dhe sakrifica e shqiptarëve nuk i shërbeu ruajtjes së ekuilibrit dhe paqes. Lufta filloi vetëm një vit pas coptimit të trevave shqiptare. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim ishte burimi kryesor për rritjen e irredentizmit shqiptar dhe nacionalizmit slloven serb e grek. Për të shëruar plagën duhej dhe duhet hequr rrënja e së keqes. Deri më sot është pohuar dhe argumentuar me të drejtë se shkaktare e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes ishte udhëheqja e PKSH dhe presioni e ndikimi tutorëve të saj jugosllave. Qëllimet dhe motivet e komunistave që përcaktuan këtë qëndrim janë tashmë të qarta dhe të argumentuara.

Mirëpo mendoj se është e dobishme që çështja të analizohet edhe nga një këndvështrim tjetër. Mund të shtrohet kjo pyetje, që ne deri më sot nuk e kemi bërë. - Ku gjetën forcat komunistët që e denoncuan Marrëveshjen e Mukjes, çfarë kalkulimesh bëri udhëheqja e PKSH dhe veçanërisht profesorët e saj jugosllavë? Nga panorama që përshkruam më lartë, është jashtë dyshimit se ato kanë patur parasysh që një aleat i tyre në betejën drejt pushtetit ishin edhe dobësitë historike të nacionalizmit shqiptar difektet strukturale të tij, vështirësitë organizative, përçarja, krahinarizmat, dallimet fetare, mullgesa e lidhjeve institucionale, difektet në krijimin e një ndërgjegje kombëtare të konsoliduar tek populli shqiptar etj. Në qoftë se komunistët do të ishin ndodhur përballë një grupimi të fuqishëm nacionalist dhe përballë një force të organizuar mirë do të ishin menduar më gjatë përpara se të shkelmonin marrëveshjen e Mukjes dhe aq më tepër përpara, se të fillonin luftën civile. Shembulli i Greqisë kur komunistët u detyruan të nënshkruanin e të respektonin, ndonëse joplotësishtë. Marrëveshjen e Varkizës është një provë që shkon në faëor të këtij konkluzioni.

Marrëveshja e Mukjes, ndryshe nga ajo e Varkizës, u nënshkrua në rrethanat e një vakumi të madh që ishte krijuar nga mohimi apo nga burgosja e legjitimitetit të shtetit. Ndërsa qeveria legjitime greke ishte faktor substancial për marrëveshjen e Valkizës. Ky ishte një handikap i madh i cili i goditi shanset e nacionalistëve shqiptar për të arritur suksesin politik që ata ta dëshironin dhe që i nevojitej aq shumë kombit shqiptar në këto momente kritike për të ardhmen e tij.

Vijmë këtu tek një shkak tjetër i dështimit të Marrëveshjes së Mukjes, i cili deri më sot nuk është kalkuluar si duhet. Bashkëpunimi i forcave nacionaliste shqiptare me ato komuniste ishte i dëshiruar nga Aleatët britanik që ishin Fuqia e Madhe dhe prezente në Shqiperi në këtë kohë. Misionet britanike e nxitën arritjen e Marrëveshjes së Mukjes, por ata nuk ushtruan presionin e duhur që ajo të zbatohej e të mbijetonte. Arsyeja ishte të bënte më prioritetet e politikës britanike, e cila kishte neglizhuar mbështetjen substanciale të forcave nacionaliste shqiptare. Kjo të bie qartësisht në sy po te analizohen raportet që krijuan britanikët me forcat nacionaliste të shteteve fqinje, të cilat ishin shumë më përmbajtësore dhe efektive. Interesat e nacionalistëve shqiptarë dhe ato të britanikëve nuk kishin një përputhje të gjërë, por vetëm të pjeseshme. Nacionalistët shqiptar synonin rivendosjen e shtetit të pavarur shqiptar, krijimin e Shqipërisë Etnike ose bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Luftën Kundër fashizmit ata e shihnin vetëm në këtë funksion. Ndërsa britanikët kishin këto prioritete: të mobilizonin sa më shumë shqiptar për të goditur forcat e Boshtit, të rishikonin kufijtë e Shqipërisë pas luftës në bazë të kërkesave që kishin parashtruar aleatët e tyre -grekët e jugosllavët dhe për këtë arsye mbanin pezull legjitimitetin e shtetit shqiptar dhe pavarësinë e tij, njohja e së cilës në vitin 1942 ishte bërë me disa ekuivoke.

Si rezultat i këtyre mospërputhjeve nuk u ndërtua një aleancë e vërtetë midis të dy palëve, ndonëse pati tentativa për bashkëpunim të cilat mbetën në një gjendje stimulimi. Në këtë mënyrë, ndryshe nga nacionaizmi grek, ai shqiptar nuk pati një mbështetje ndërkombëtare, e cila ishte aq e nevojshme në rrethanat e luftës për një rend të vogël e të dobët si Shqiperia. Ky ka qenë njëri ndër shkaqet e rëndësishme potenciale që u krijoj mundësi komunistëve, të cilët kishin një mbështetje të madhe të jashtme ndonëse ishte e tërthortë, që të sfidonin pa mëdyshje dhe me sukses Marrëveshjen e Mukjes. Në fakt nacionalizmi shqiptar s'ka patur kurrë aleatë natyrorë dhe të qëndrueshëm për arsye se gjeopolitikat e Fuqive të Mëdha nuk përputheshin në mënyrë substanciale me interesat dhe të drejtat e kombit shqiptar.

Dështimi marrëveshjes së Mukjes e bëri edhe më të zezë të ardhmen e nacionalizmit shqiptar. Atij tashmë për herë të parë në historinë e ekzistencës së vet, do t'i duhej të luftonte për të mbijetuar. Përballë kishte një klikë komuniste e cila po fitonte terren në shoqërinë shqiptare qoftë për arsye të strategjisë dhe taktikave të zgjuara që ia kishin përpunuar dhe zgjedhur tutorët e saj me shumë eksperiencë, qoftë për arsye të problemev të mprehta sociale që trashëgonte shoqëria shqiptare. Përballë kishte gjithashtu një koalicion të fuqishëm ushtarako-politik, komunizmin ballkanik dhe atë ndërkombëtar, kundër të cilit do t'i duhej të luftonte pa asnjë aleat. Përballë tij ishin edhe dy kundërshtar nacionalizmi grek që synonte hapur aneksimin e Shqipërisë së jugut dhe nacionalizmi sllav i cili jo vetëm po përpiqej t'i sfidonte aspiratat e shqiptarëve për bashkimin kombëtar por synonte edhe aneksimin e disa territoreve të reja shqiptare.

Në këtë moment kritik historik nacionalizmi shqiptar ende zotëronte një potencia1 njerëzor ushtarak, politik dhe ekonomik të konsiderueshëm, i cili po të vihej me efektivitet në veprim mund ta ndryshonte situatën dhe të impononte zgjidhjet dhe objektivat e tij. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes e vuri Ballin Kombëtarë dhe forcat e tjera nacionaliste përpara dilemash aspak të lehta për t'u zgjjdhur. Ajo ndikoi në prishjen e kohëzionit të tyre duke i shtuar përçarjet e fraksionimet. Ajo ishte shkaku kryesor që e detyroi një rrymë të fortë nacionaliste që të bashkëpunonte me gjermanët për ta mposhtur komunizmin i cili ishte promotori i luftës civile. Sigurishtë që nacionalistët nuk e dëshironin dhe nuk ishin shkaktarët e Luftës Civile. Por, gjithashtu, kur ajo ju imponua atyre nga komunistët, ata përsëri dëshmuan se ende vazhdonin të ishin robër të difekteve të tyre të vjetra. Strategjia politike por veçanërishtë organizimi e koordinimi i të gjitha rrymave dhe forcave nacionaliste ishin difektoze. Ata nuk munden të bashkoheshin efektivisht dhe në momentin e duhur, duke humbur momentin e iniciativës, e cila shumë shpejt do të kalonte në dorë të komunistëve. Në vend që; të bëheshin në verën e vitit 1943, përpjekjet serioze; dhe njëfar rezultati për bashkimin u arrit në verën e vitit 1944. Pra, një vit më vonë, kur situata politiko-ushtarake kishte percepituar në kahjen e kundërt.

Tradhëtimi i Mukies provoi se sa i dobët ishte politikisht elementi nacionalist brenda Frontit. Naciona-Çlirimtar dhe se ai humbi, përballë udhëheqjes makiaveliste të PKSH. Ai i dobësoi më tej pozitat e nacionalistëve apo komunistëve në frontin NÇL. Një pjesë e mirë e tyre u largua fare prej tij dhe disa të tjerë si Mustafa Gjinishi e paguan me jetën e tyre. Ai shëmbi përfundimisht moralin e luftës çlirimtare të PKSH, braktisjen e parimeve themelore të Frontin NÇL dhe nxiti kalimin e PKSH akoma me majtas në pozita, giithnjë e më tepër antikombëtare. Ai rrezikoi seriozisht arritjet e deriatëhershme të nacionalizmit shqiptar, e në radhë të parë të ardhmen e shtetit të pavrarur shqiptar. Gjithashtu pasojë e drejtpërdrejtë e prishjes së Mukjes ishte coptimi i trojeve shqiptare në Jugosllavi, lehtësimi i etnocidit serb në Kosovë dhe spastrimi i përgjakshëm etnik të Çamërisë.

Dështimi i Mukjes e shtyu nacionalizmin shqiptar të kërkonte edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin e forcave analoge të fqinjit jugor. Nacionalistë të ndershëm dhe të vendosur, duke parë se vendi po rrëshqiste në kazanin sllav, propozuan një variant shumë të guximshme për krijimin e një shteti federativ greko-shqiptar të cilit më vonë do t'i bashkangjitej edhe Turqia. Ky shtet do të ishte në aleancë me demokracitë perëndimore, e në radhë të parë me Britaninë e Madhe. Këtë projekt e mbështetën thuajse të gjitha forcat dhe rrymat kryesore nacionaliste. Ato synonin që të shmangej më e keqja d.m.th. thithja e Shqipërisë në një Federatë komuniste të sllavëve të Jugut. Por kjo politikë e tyre e hapur pati fatin e keq se nuk gjeti përkrahje dhe aprovim nga, nacionalizmi grek. Forcat nacionaliste dhe qeveria greke e kishin fokusuar gjithë politikën e tyre në aneksimin e Korçës e Gjirokastrës, dhe njëkohësisht, duke dashur të respektonin marrëveshjet e vjetra me nacionalizmin serb për ndarjen e Shqipërisë midis tyre, refuzuan kategorikisht të gjitha ofertat e elitës politike shqiptare. Kështu u humb një shans i ofruar në këtë moment kritik për bashkëpunimin shqiptaro-grek dhe një mundësi për forcimin e pozitave të forcave nacionaliste në të dyja anët e kufirit. Në vitin 1949 forca të rëndësishme të nacionalizmit grek do ta kuptonin se çfarë kishin humbur dhe ofruam një propozim të ngjashëm nëpërmjet zv/ministrit të jashtëm Panjotis Piplnelis. Ky propozim nuk përputhej me propozimin e hapur e të sinqertë të nacionalistëve shqiptarë, por ruante, tendenca shoviniste. Por, sido që të ishte ky propozim tashmë ishte, shumë i vonuar. Nacionalizmi shqiptar ishte shpartalluar ushtarakisht në fund të luftës, ndërsa nacionalizmi grek kishte vite që po cfilitej në kalvarin e luftës civile.

Vendimet e Mukjes i çelnin rrugën dhe i shërbenin realizimit të disa objektivave madhore të nacionalizmit modern shqiptar-bashkimi kombëtar, dhe krijimit të një shteti modern e demokratik shqiptar. Prishja e saj i dhe goditjen më të madhe këtyre aspiratave. Zbatimi i saj do të shënonte triumfin e nacionalizmit shqiptar dhe pikën më të lartë organizativ të tij. Do të krijoheshin premisa për një zhvillim pozitiv e progresiv të këtij nacionalizmi drejt vlerave më të spikatura të nacionalizmit qytetar e human europjano - perëndimor. Ajo i hapte rrugën kultivimit të rrymave demokratike të nacionalizmit, dhe i mbyllte rrugën totalitarizmit. Nacionalizmi shqiptar i cili qe gjatë luftës kishte shfaqur qartë tendenca kooperuese e integruese në rajon e më gjerë, dhe premisat për një qëndrim tolerant e human ndaj minoriteteve mori një goditje e rëndë. Kështu u ndërpre procesi i zhvillimit të mëtejshëm historik të tij, i cili do të dobësonte e fashiste më tej tendencat eskluziviste dhe izolacioniste aq të spikatura në nacionalizma, të tjerë ballkanikë.

Pas luftës nacionalizmi shqiptar do të zhvillohej në emigracionin e detyruar, ndërsa ato forca apo elemente, që mbeten në Shqipëri e në trojet etnike shqiptare në ish-Jugosllavi do të ndesheshin në këto regjime në një betejë të pabarabartë, fundi i së cilës ishte tragjik për nacionalizmin shqiptar.

Elasticiteti dhe largpamësia e vendimeve të Mukjes shërbyen si modele për hapin e rëndësishëm por edhe të vështirë që bënë grupet nacionaliste shqiptare në emigracion në vitin 1949 kur ato u bashkuan dhe krijuan Komitetin Shqipëria e Lirë. Ky organizëm që ishte organ ekzekutiv i frontit të ri nacionalist trashëgoi dhe zhvilloi frymën demokratike dhe politikën për Shqipërinë etnike. Gjatë periudhës së luftës së ftohtë forcat nacionaliste shqiptare u qëndruan besnike parimeve dhe vendimeve të Mukjes. Ata luftuan me konsekuence dhe me qartësi për vendosjen e demokracisë në Shqipëri, për ndërtimin e një shteti. modern dhe të fuqishëm kombëtar në të cilën të bashkëpunonin dhe bashkëjetonin të gjitha forcat e rrymat politike demokratike. Ata për asnjë çast nuk e pushuan luftën për mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë të cilat në disa momente delikate të kësaj periudhe ishin të kërcënuara. Gjatë kësaj periudhe të gijtha forcat kryesore nacionaliste nuk e ndërprenë luftën dhe aktivitetin propagandistik për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Në frymën e Mukjes dhe të objektivave të kahershme të nacionalizmit shqiptar, bashkëpunimi me forcat nacionaliste nga Kosova dhe diaspora. Balli Kombëtar i drejtuar nga Ermenji kishte lidhje të ngushtë me Lidhjen Kosovare së cilës i jepte një ndihmë të madhe. Si KKSHL ashtu dhe KKDSHL u angazhuan gjerësisht në rrugë propagandistike e diplomatike për të frenuar procesin e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Jugosllavi. Këto përpjekje merrnin një rëndesi edhe më të madhe në rrethanat ku ata përfaqësonin të vetmin zë në arenën ndërkombëtare në mbrojtje të Kosovës, pasi në këtë kohë qeveria komuniste e Tiranës e kishte mbyllur gojën. KKDSHL i drejtoi një lutje qeverisë turke që ta ndalonte emigrimin e shqiptarëve. Më 15 mars 1956, A. Emlenjij dërgoj një telegram OKB, Ministrave të Jashtëm të SHBA, Anglisë e Francës, dhe disa organizmave të tjera lidhur me shpërnguljet dhe operacionin e mbledhjes së armëve që kishte ndërmarrë qeveria jugosllave kundër shqiptarëve me qëllim që t'i nxiste ata të emigronin. Megjithatë gjendej në trysninë e madhe që ushtronin rrethanat tejet të vështira emigracionit të gjatë, nacionalizmi shqiptar nuk e humbi rrugën dhe perspektivën drejt objektivave hjstorike që kishte përcaktuar në Mukje dhe përpara saj. Gjithashtu me Ballin Kombëtar në pararojë, forcat nacionaliste shfaqën prirje të qarta e te vendosura kooperuese integruese me institucionet dhe vlerat perëndimore. Ata morrën pjesë dhe kontribuan në të cilën Balli Kombëtarë përkrahur projektin për krijimin e një Federate të vendevre të Europës Juglindore pasi, ato të ç1iroheshin nga komunizmi dhe të vendoseshin regjime demokratike, në Asamblenë e Kombeve Evropiane të Robëruara e cila miratoi dhe një rezolut mbi integrimin europjan; në "Bashkimin Federalist të Komuniteteve Etnike Europjane" të cilën Balli Kombëtarë dhe Lidhja Kosovare arritën ta nxisnin që të miratonte një rezolutë në favor të lirisë së shqiptarëve të Kosovës, etj. Por përsëri edhe në këtë; periudhë u shfaqen me forcë disa nga difektet e vjetra, veçanërisht aksionimi. Në këtë mënyrë rrethanat e krijuara gjatë luftës së ftohtë, veçanërishtë largimi për një kohë të gjatë nga atdheu dhe izolimi i dhunshëm prej tij, e venitën forcën, organizimin dhe peshën e nacionalizmit shqiptar në botën shqiptare
Këto pasoja negative do të shfaqeshin me tërë forcën e tyre në periudhën postkomuniste dhe pikërisht në dy drejtime kryesore. Në zhvillimin traumatik dhe në karakterin shumë të zbehtë kombëtarë të shtetit shqiptar, si rezultat i difekteve të mëdha në ndërgjegjen dhe formimin atdhetar të elitës politike shqiptare, dhe më gjerë shoqërisë shqiptare, e cila dilte nga një sistem politik që e kishte çrrënjosur nacionalizmin si politikë, si ideologji dhe mbi të gjitha kishte shkatërruar bazën sociale të tij; 2. Në dobësitë e theksuara tëe lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë e në Maqedoni.
Megjithëse ishte dëshpëruese dhe një hap prapa në rrugën e progresit të popullit tonë, prishja e Marrëveshjes së Mukies nuk eshtë një fenomen unikal apo i pariparueshëm. Gjaku që u derdh dhe fatkeqësitë që pësoi kombi ynë pas saj bëjnë apel që nacionalistët shqiptar të nxjerrin mësimet e duhura nga kjo përvojë e hidhur. Etapat në zhivillimin e kombeve nuk mund të kapërcehen në mënyrë voluntariste. Integrimi europian dhe sistemi demokratik nuk mund të konceptohen jashtë ekzistencës dhe funksionimit të shteteve kombëtare të konsoliduara. Është e domosdoshme të studiohet në mënyrë rigoroze shkencore e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, e nacionalizmit shqiptar, e këtij aliazhi, frymëzieso dhe substance jetike të pazëvendësueshme të kombit dhe shtetit kombëtar. Tek fuqizimi dhe modernizimi i këtij nacionalizmi do të gjenden energjitë pashtershme për të shëruar shume nga plagët tona.

Kthehu tek faqja Kryesore1

Copyright © 2006 nue_oroshi@yahoo.de

[FAQJA KRYESORE] [E DJATHTA SHQIPTARE] [KUMTESA] [AKTIVITETE] [LIBRAT E BOTUARË] [MATERIALE] [SESIONET] [OPINIONE] [RECENZIONE] [KULTUR] [PORTRETE] [STAFI DREJTUES] [ALBUMI FOTOGRAFIKË] [LIBRI VIZITORVE] [KONTAKT]