skenderbeg

geizhals

 

albaniaC1 USA HAJREDIN ISUFI  Harta 309
www.shqiperiaetnike.de
image_misc_scanderbeg
120
Hajredin Isufi

HAJREDIN ISUFI
 Studiues (Shqipëri)

KONTRIBUTI I SHQIPTARËVE TE AMERIKËS DHE I DIPLOMACISË AMERIKANE NË MBROJTJE TË ÇËSHTJES ÇAME (1918-1945)

Një nga pasojat më evidente të situatës së re politike, ekonomike, sociale dhe administrative që u krijua në Çamëri pas aneksimit të saj nga qeveria greke (1912-1913), ishte fenomeni i emigracionit. Ndër drejtimet kryesore të këtij emigracioni ishin edhe SHBA. Çamët e emigruar në Amerikë gjetën një terren të përshtatshëm dhe një pritje të ngrohtë që i mundësoi të organizoheshin në mbrojtje të fateve të Çamërisë. Në radhët e çamëve të emigruar ishin dhe shumë figura të shquara si Haxhi Murati, Mesut Çami, Beqo Izeti, Lejla Dino etj., që ishin dalluar në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare për veprimtari të dendur patriotike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë për përfaqësuesit e shqiptarëve te Çamërisë për të shpalosur një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht atë amerikane, për dramën e rëndë që përjetonte Çamëria nën pushtimin grek. Në vitin 1918 në SHBA ishte formuar Partia Politike ose siç u quajt ndryshe, Partia Kombëtare Shqiptare dhe Shoqata Çamëria, me një shtrirje të gjerë në shumë qendra të rëndësishme në SHBA si dhe Shoqëria “Vatra”. Si në Partinë Politike ashtu dhe në Shoqërinë Çamëria, aderonin figura të shquara nga të gjitha trevat shqiptare dhe zhvillonin një veprimtari të dendur patriotike, duke i shpalosur platformen politike në organe të rëndësishme, në gazeten “Dielli”, “Albania” dhe më pas në “Immigrandi” qe dilnin në SHBA

Në fund të vitit 1918, pikërisht në prag të hapjes së Konferencës së Paqes në Paris, Shoqëria Çamëria dhe Partia Politike Shqiptare nisën të zhvillonin një veprimtari intensive për të mbrojtur çeshtjen shqiptare në atë forum të lartë ndërkombëtar, që do të analizonte edhe vënien në vend të padrejtësive që u ishin bërë vendeve të vogla. Patriotët shqiptarë në SHBA, nëpërmjet artikujve që botoheshin në editorialet e gazetës “Albania”, “Dielli”, etj. i tregonin botës argumentet politike dhe gjeografike se, cili ishte kombi shqiptar, cilat ishin të drejtat dhe dëshirat e këtij kombi dhe deklaronin se pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga Jugu Çamëria, nuk mund të ketë qetësi në Ballkan.

Një mbështetje të fuqishme në këtë kohë, rrethet patriotike shqiptare në SHBA, gjetën edhe në një organizatë ndërkombëtare, “Bashkimi Demokratik i Evropës Qendrore”, e cila qendrën e veprimtarisë e kishte në SHBA. Ajo ishte një organizatë politike irredentiste e vendeve të robëruara ose pjesërisht të robëruara të Evropës. Komiteti Drejtues i kësaj organizate kishte vendosur të organizonte Kuvendin e saj të Parë, ku do të ishin të pranishem edhe përfaqësues nga diaspora shqiptare. Kuvendi u mbajt në të njëjtën ndërtesë dhe në të njëjtën sallë ku ishte shpallur pavarësia e SHBA, më 4 korrik 1976.

Qoftë momenti, si dhe vendi i zgjedhur për të zhvilluar Kuvendi punimet e tij, tregojnë qartë qëllimin e organizatorëve për të sensibilizuar administratën amerikane dhe, për të ndikuar në qëndrimet që ajo do të mbante në Konferencën e ardhshme të Paqes, në favor të zhdukjes së padrejtësive të bëra në kurriz të popujve që ajo përfaqëson. Dako, në fjalën e tij në Kuvend, kërkoi që Kosova dhe Çamëria, treva të padiskutueshme shqiptare, të pushtuara padrejtësisht nga Serbia dhe Greqia, t’i bashkoheshin Shqipërisë.

 Kongresi tërë shpresat për të realizuar synimet që i kishte vënë vetës, i kishte varur kryesisht në administratën e lartë amerikane, prandaj ai në fund të punimeve, më 26 tetor, hartoi një deklaratë që u nënshkrua nga përfaqësuesit e vendeve të robëruara dhe iu dorëzua Presidentit të SHBA.

 Ekipi i zyrtarëve të lartë amerikanë që përgatitej për të shoqëruar Presidentin Uillson në Paris, në fund të tetorit 1918 i bëri një ftesë edhe Dakos. Përfaqësuesi i Partisë Politike Shqiptare e shfrytëzoi atë rast për të parashtruar para specialistëve të njohur amerikanë për Ballkanin, argumente lidhur me historinë e Shqipërisë dhe padrejtësitë që i ishin bërë dhe i kërkoi diplomacisë amerikane që të zbatoheshin me ndershmëri dhe pa paragjykime parimet e shpallura nga Presidenti Uillson, në themel të së cilës ishin parimi i kombeve për vetëvendosje. Tanimë në zemrat shqiptare dhe të elitës së saj politike, shpresat dhe besimin e kishin varur tek Presidenti Uillson dhe kishte plotësisht arsye ta shihnin si mbrojtës të tyre. Ishte kjo arsyeja që edhe Noli i madh në takimin që pati me Presidentin amerikan në Kongresin e popujve të shtypur në përvjetorin e festës kombëtare të SHBA më 4 korrik 1918, gjeti rastin të bëjë një apel Presidentit në emër të kombit shqiptar, që me përpjekjet e tij të ndikonte në Konferencën e Paqes në Paris për vendosjen e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte shkelur nga Fuqitë e Huaja gjatë Luftës së Parë Botërore. Presidenti Amerikan iu përgjigj me fjalët: “Unë kam një votë në Konferencën e Paqes? Dhe unë do ta përdor atë në favor të Shqipërise”.

 

PËRPJEKJET PËR ÇËSHTJEN ÇAME NË KONFERENCËN E PAQËS NË PARIS

 Shqiptarët e Amerikës vendosën që interesat kombëtare t’i përfaqësonte në Konferencën e Paqës, Ismail Qemali krahas qeverisë së Durrësit që e përfaqësonte Turhan Pasha. Plaku i Vlorës u pengua të shkonte në Konferencë nga Italia e Franca. Mospërfshirja në delegacion e këtij atdhetari të flaktë, vuri pikëpyetje të shumta në opinionin e shendoshë te kohës. Me siguri prania e tij në Paris do t’i jepte konsistencë delegacionit shqiptar. Gjithsesi në mungesë të Ismail Qemalit disa nga figurat më të shquara të Shoqërisë Çamëria në Amerikë si Beqo Izeti, Refo Çapari, Gazali Dino etj. i drejtuan më 24 janar një telegram Presidentit Uillson me anën e të cilit i bënin të ditur se çamët kërkonin bashkimin me Shqipërinë. Një lëvizje tjetër e rretheve patriotike shqiptare në tryezat diplomatike në Paris, ishte kërkesa për një mandat amerikan të shoqëruar nga një plebishit.

 Kërkesa për një plebishit u bë me anën e një letre dërguar Uillsonit më 7 mars 1919 dhe u persërit dy muaj më vonë nga një kërkesë e bërë nga delegati i Federatës Panshqiptare “Vatra”, MR.Erikson. Kërkesa e Eriksonit dhe e palës shqiptare, erdhi si rezultat i zellit të tepruar që tregonte Komisioni pranë Konferencës së Paqës në Paris, në favor të pretendimeve greke ndaj Shqipërisë. Për rrjedhojë pala shqiptare vendosi t’i kërkojë Konferencës që t’i jepej qeverisë amerikane një mandat i përkohshem për të administruar territoret e shkëputura për një ose dy vjet kohë, pas së cilës do të shkohej drejt një plebishiti. Kështu jashtë çdo presioni popullsisë shqiptare do t’i mundësohej që të shprehte ndjenjat e saj dhe të vendoste për të ardhmen e vet.

 Ballafaqimi mes delegacionit grek për çështjen e Shqipërisë së Jugut, parashikohej të ishte i ashpër. Dhe në fakt kështu ndodhi. Pretendimet greke mbroheshin nga një politikan i regjur dhe i përkushtuar ndaj çështjes “Megali Idesë”, siç qe E. Venizellos. Ndërkohë pala shqiptare u përpoq të dalë përpara me argumente bindëse. Në këtë kohë botoi edhe një pamflet anonim, ku u jepte përgjigje një për një pretendimeve greke dhe statistikat e fallsifikuara që paraqiti ajo në Konferencë , se ortodoksët e Shqipërisë së Jugut ishin grekë e me ndërgjegje helene ndërsa myslimanët shqiptarë, sipas Venizellosit, ishin me ndërgjegje turke.

 Ndërkohë kur duhej hapur qëndrimi indiferent i Fuqive të Mëdha në Paris ndaj çështjes shqiptare, dhe vështirësitë që ndesheshin, patriotët shqiptarë dhe ata të Çamërisë, ndërmoren hapa të tjerë tek kreu i Këshillit të Dhjetëve, pra direkt tek Presidenti Uillson, të cilit ata iu adresuan si “APOSTULLI I MORALIT POLITIK”, “MBROJTËSI I TË DREJTAVE TË POPUJVE TË VEGJËL”, “KREU I RESPEKTUAR I DEMOKRACISË MË TË FUQISHME”, dhe “BURRI QË KA VENDOSUR NDJENJËN E DREJTËSISË MBI TË GJITHA INTERESAT”. Ata i përcillnin Presidentit Amerikan padrejtësinë e madhe që i ishte bërë Shqipërisë dhe popullit të saj, dhe se nga vendet evropiane e kancelaritë e saj nuk ishte gjetur asnjë mbështetje, prandaj të gjitha shpresat i kishin varur te ai që përfaqësonte në rruzullin tokësor, “Mbrojtësin e popujve të shtypur”.

 Ndërkohë, Lejla Dino, e bija e Rasih Dinos, në atë kohë ish Kryetare e Gruas shqiptare jashtë vendit, duke shfrytëzuar njohjen personale me zonjën e Uillsonit, i drejtoi një letër gjatë qëndrimit të çiftit presidencial në Paris.

 Bija e Çamërisë në letrën e saj ndër të tjera i shkruante: “Qindra, mijëra prej punëtorëve shqiptarë të cilët u shtrënguan të lënë shtëpitë e tyre dhe të refugjohen në Amerikën tuaj të lirë, shpresojnë nxehtësisht se atdheu i parë i tyre, provinca e Kosovës dhe e Çamërisë, të cilat u ndanë padrejtësisht nga Shqipëria, më 1913 do të lirohen…”

 Ide të njëjta si ato të Lejla Dinos, përcillte dhe memorandumi i hartuar nga figurat më të shquara të mbrojtjes së çështjes çame që i drejtohej njerës nga katër fuqive drejtuese, SHBA. E veçanta e këtij memorandumi ishte se ai bënte edhe një historik të shkurtër të Çamërisë. Ai memorandum mund të shkruhej nga figurat më të spikatura të lëvizjes kombëtare çame: Dr. Asaf Çami, Mazar Dino nga Paramithia, Rexho Plaku e Aqif Plaku nga Konispoli, Mehmet Sejko nga Filati, Muharrem Rushiti nga Koska (Filat) etj. Ky memorandum u përcoll më 25 tetor 1919. Falë qëndrimit të Presidentit Uillson , që Korça dhe Gjirokastra i shpëtoi kafshimit të lakmive shoviniste greke. Populli shqiptar nuk ia harron SHBA mbështetjen që i dha në ditë të vështira kur fatet e vendit ishin në rrezik copëtimi.

 Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore diplomacia amerikane ishte e vetmja që përgënjeshtroi akuzat greke se, çamët kishin qenë “bashkëpunëtorë me pushtuesit”. Ambasadori i SHBA në Greqi, Mak Vey në librin e tij shkruan: “Akuzat se çamët qenë bashkëpunëtorë me italianët e gjermanët, janë “akuza” të nxitura sidomos nga forcat greke më të kompromentuara nga “bashkëpunimi” me okupatorin si gjenerali Zervas, koloneli Dertlis, “Batalionet e Sigurimit”, “Gjindarmëria dhe policia” (të stërvitur nga nazistët) etj.”

 Në një mesazh që PEEA (grupi popullor i grupit të ELLAS-it) dërguar Presidentit Amerikan F.D.Roosvelt, më 15 maj 1944 thuhej se, armiqët qe kanë sulmuar Greqinë janë agresorët italianë, gjermanë e bullgarë. Siç shihet, shqiptarët nuk janë pjesë e këtij grupimi negativ.

 Dhe tani le të kthehemi tek qëndrimi diplomacisë amerikane ndaj demaskimit të Napolon Zervës, ku deklarohet: Zerva ka tendenca diktatoriale e fashiste në dallim nga idealet tona (amerikane-H.I.) për demokracinë, prandaj është thënë se ai nuk krijon besimin si anëtar i një qeverie që do të duhej të bashkëpunonte ngushtë me SHBA.

 Duke përfunduar e shoh me vend të vë në dukje se, SHBA në harkun kohor që nga viti 1918 e deri në ditët tona, ka qenë një mbrojtës i interesave kombëtare shqiptare. Ishte kjo arsyeja që Amerika dhe Presidenti Uillson ishte bërë presidenti më i dashur. Këtë dashuri e shprehën 100 gra shkodrane që në shenjë mirënjohjeje e dashurie, në vitin 1920 qëndisen me fije ari një tablo në një copë të bukur ku shkruhej: “Në shenjë mirënjohjeje Presidentit Uillson për mbrojtjen që i ka dhënë Shqipërisë”. Kjo tablo e qëndisur nga shkodranet duararta, sot gjendet e vendosur në një vend te dukshem në Shtëpinë Muze të Presidentit Uillson. Edhe në ditët tona SHBA është një zë i fuqishem në mbrojtjen e fateve dhe perspektivës së popullit shqiptar. Sot populli i Kosovës, shpresat e veta për pavarësi me të drejtë i ka drejtuar tek SHBA.

Kthehu tek faqja Kryesore1

Copyright © 2006 nue_oroshi@yahoo.de

[FAQJA KRYESORE] [E DJATHTA SHQIPTARE] [KUMTESA] [AKTIVITETE] [LIBRAT E BOTUARË] [MATERIALE] [SESIONET] [OPINIONE] [RECENZIONE] [KULTUR] [PORTRETE] [STAFI DREJTUES] [ALBUMI FOTOGRAFIKË] [LIBRI VIZITORVE] [KONTAKT]