skenderbeg

geizhals

 

albaniaC1 USA PETRIT PALUSHI Harta 309
www.shqiperiaetnike.de
image_misc_scanderbeg
120
Petrit Palushi

Petrit Palushi

MUNGESA E PENDESËS SI SHENJË MOSREFLEKTIMI

Ka 15 vjet që në Shqipërinë administrative ekspozohet thuajse vazhdimisht odisejada e mizorisë shtetërore komuniste mbi shtetasit shqiptarë në vitet e diktaturës. Ky revanshizëm i nisur që herët, sidomos prej vitit 1943 kur Partia Komuniste nisi thuajse hapur revanshin mbi kundërshtarët e vet politikë dhe deri me çeljen e pluralizmit në dhjetor të 1990-s, në një vend të vogël ndodhi ajo që s’ndodhi kund n’Evropë: ushtrimi i terrorit shtetëror, mungesa e lirisë së individit dhe në këtë rast dhe e kolektivit në tërësi, nëpërkëmbja e të drejtave edhe më minimale. Në dhjetor të 1990-s ky vend i vogël që e kish emrin Shqipëri i ngjante një ngrehine të deformuar ku lufta e klasave kish bërë kërdinë. Bilanci qe tragjik. Jo rastësisht po citoj At Zef Pllumin: “Italianët mendojnë se Dante e ka shkrue për ta “Komedinë Hyjnore”, në fakt e ka shkrue për shqiptarët”.

Në anën tjetër, do të duhej shumë kohë që paqja të fitonte statusin e saj real dhe të kthjellohej arsyeja se ç’kish ndodhur n’atë vend prej 2 milion banorësh.
Tashmë është provuar me fakte të pakundërshtueshme mbi abuzimet e pushtetit të diktaturës.
Do shtuar gjithashtu se terrori shtetëror, në formën më të përkryer të rregullave që parashihte bolshevizmi, u kthye në rregull, në model, në mbijetesë për pushtetin dhe në rrënim të vazhdueshëm për atë vend që quhej Shqipëri.

Por, nëse u ekspozua deri në një farë mase ajo pjesë e krimit mbi kundështarët politikë të regjimit, mbi njerëz të thjeshtë, intelektualë, njerëz të fesë, njerëz të kulturës, ata përfaqësues më të epërm të regjimit që realizuan krime të tilla, që mbërritën deri në monstruozitet, nuk shfaqën as pendesën më të vogël, nuk u lëkundën, nuk u thyen a u trandën moralisht për çka kryen. Përkundrazi. Vijuan të qetë jetën e tyre në vitet post-diktaturë, madje me krenarinë e vrasëve të dikurshëm, si dikur që qenë tepër të zellshëm, tepër autoritarë edhe pse me malin e krimeve mbi shpinë.

Kjo gjë ka një arsye të thjeshtë shpjeguese, ose mund të shpjegohet shumë thjeshtë: përpjekja që krimet të mbeteshin pa autorë, ai rrënim i pazakont dhe i çuditshëm i Shqipërisë të mos kish autorësi dhe kësisoj të fshihej nga faqja e dheut ajo e vërtetë tragjike që sundoi mbi shtetasit e Shqipërisë. Shpesh identifikimi i krimeve vetëm me emrin e diktatorit Hoxha, herë-herë me atë të Mehmet Shehut, dhe pak, ose aspak me atë të Ramiz Alisë, prapëseprapë përforcon idenë e cekur më lart se, fajtorët u përpoqën t’i largoheshin fajit ose mundësisht ta zhytnin brenda mjegullnajës.

Ish-të burgosurit politikë, ata që vuajtën më tepër se askush nga pasojat e regjimit, u ngritën mbi vetveten dhe për hir të interesave të larta të shqiptarisë, kërkuan të mbretëronte paqja, pajtimi, komunikimi normal dhe real, që do të thotë një komunikim njerëzor, pra ditën të realizonin faljen, aq të nevojshme për një komb që kërkonte ringjallje, që kërkonte të shkonte drejt së ardhmes evropine.
Po citoj fjalët e martirit të njohur Havzi Nela, njëri prej emisarëve të mëdhenj për lirinë e fjalës, të cilit regjimi obskurantist i mori jetën me varje, në një prej shesheve të Kukësit më 10 gusht 1988, dy vjet më parë se të rrëzohej diktatura:

“Shpejt gjithçka ka me marrë fund. Ne do mbyllim shumë gjana dhe do sillemi si njerëz, se përndryshe nuk e merr kurrë vetin Shqipnija. Gjaku me gjak nuk lahet se bâhet një pellg tjetër gjaku që s’e lan e s’mundet me e la kurrën e kurrës të parin”.

Në anën tjetër, ata që projektuan dhe realizuan fatkeqësinë mbi ta, përfaqësuesit më të zellshëm të nomeklaturës së kuqe, nuk e panë të arsyeshme të kërkonin ndjesën më të vogël, të pendoheshin për atë që kishin kryer, për atë mizori të pashembullt në krejt Evropën e gjysmës së dytë të shekullit të XX.
Është e disata herë që ne mblidhemi në takime të tilla mbi rezistencën e nacionalizmit, një lloj vitaliteti i lakmueshëm pothuajse në gjitha viset e Ballkanit që vuanin nën zgjedhën komuniste, dhe nga njëra seancë në tjetrën mësojmë mbi të vërteta të hidhura që kanë të bëjnë më përndjekjen ndaj forcave nacionaliste.

Tashmë dihet prej të gjithëve fatin që pësuan ata shqiptarë që ëndërronin, që kërkonin dhe përpiqeshin të lidheshin me perëndimin! Tashmë dihet fati i klerikëve të Shkodrës, siç dihet edhe fati i atyre njerëzve të kulturës që kërkonin të realizonin një kulturë të pavarur, jashtë dogmave, jashtë kërkesave shterruese të socrealizmit!

Dhe, mbas gjithë kësaj poshtërsie publike e regjimasve të diktaturës, asnjë shenjë pendese, asnjë vrasje ndërgjegjeje.
Le t’i referohem vetëm dy shembujve për ilustrim në rrethin e Kukësit.

Tashmë janë bërë publike krimet e Shefqet Peçit në Lumë, si shprehjet më të dukshme të terrorit komunsit. Në shtator të vitit 1944 me urdhër të tij u pushkatuan 21 fshatarë të pafajshëm të Buzëmadhes, pa përmendur krimet e këtij njeriu në vise të tjera, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Në një intervistë të vitit 1993 po ky njeri do të deklaronte se “Po të më jepej rasti, prapë ashtu do të veproja”. Këtu s’kemi të bëjmë me patologjizëm, as me ndjesinë e njeriut të sëmurë, por kemi të bëjmë me vetëdijë bolshevike për ta luftuar dhe terrorizuar kundërshtarin politik me të gjitha mjetet.

Rasti tjetër është i freskët.
Akti shtetëror ndaj Havzi Nelës, këtij “përfaqësuesi të dinjitetshëm të shqiptarëve” (A. Morina), është një nga shëmtitë morale, politike, të regjimit komunist. Pothuajse të gjithë ish-pjestarët e ekipit të krimit ndaj martirit Nela vegjetojnë në pushtet: ish-prokurori prapë prokuror, ish-gjykatësi prapë gjykatës, ish-drejtuesi i kolegjit penal Fehmi Abdiu në vitet postdiktaturë mbërriti të bëhej kryetar i gjykatës së lartë dhe si për ironi hoqi dënimin me vdekje, ndërsa Ramiz Alia, firma e të cilit do ta çonte përfundimisht të panënshtrueshmin Nela në litar, para një muaji do të shprehej në TV Klan se “qe i trishtuar që dështoi socializmi në Shqipëri”. Dmth., qe trishtuar që iu dha fund dhunës, litarit, terrorit shtetëror, depersonalizimit të njeriut…

Atëherë shtrohet pyetja: cili prej atyre që urdhëruan të bëheshin krime nën pushtetarinë komuniste në Shqipëri dhe Kosovë, shfaqi pendesën më të vogël? Në anën tjetër, njerëzit e thjeshtë, populli, të vuajturit e sahershëm, gjetën mundësi dhe falën. Ky qe dinjitet, një nga gjërat më serioze të shqiptarëve në fundin e shekulit të XX.

Duke e përmbyllë, do t’i kthehesha prapë një fjale të plotkuptimshme të At Zef Pllumit se “Para se të mbërrijnë parajsën pasi kanë kalue ferrin, shqiptarët duhet të kalojnë edhe purgatorin, këtë purgator të tranzicionit”.

Kthehu tek faqja Kryesore1

Copyright © 2006 nue_oroshi@yahoo.de

[FAQJA KRYESORE] [E DJATHTA SHQIPTARE] [KUMTESA] [AKTIVITETE] [LIBRAT E BOTUARË] [MATERIALE] [SESIONET] [OPINIONE] [RECENZIONE] [KULTUR] [PORTRETE] [STAFI DREJTUES] [ALBUMI FOTOGRAFIKË] [LIBRI VIZITORVE] [KONTAKT]