skenderbeg

geizhals

 

albaniaC1 USA PROF ASS Dr ROMEO GURAKUQI Harta 309
www.shqiperiaetnike.de
image_misc_scanderbeg
120
romeo gurakuqi

Prof.Ass.Dr Romeo Gurakuqi

MBI QENDRIMIN ATDHETAR E POLITIK TË ERNEST KOLIQIT

(ridimensus) 

Së pari, dëshiroj të falënderoj organizatorët për ftesën dhe nderin që më bënë për të folë në këtë kuvend të studiesve shqiptarë. Nga ana tjetër, nderi dhe përgjegjësia është e veçantë, pasi bëhët fjalë për një prej figurave më madhore dhe shumëdimensionale të kombit shqiptar, shkrimtarin dhe atdhetarin e madh shkodran e të të gjithë shqiptarëve, Ernest Koliqi.
Në paraqitjen time do të përqendrohem në këto tre çështje, të ezauruara më pak nga studiuesit e Koliqit, për të cilat zotëroja dokumenta të reja, për t’ua paraqitë publikut shkencor dhe atij me të gjërë.

  • Botkuptimi, formimi dhe pikpamjet politikë
  • Koliqi Ministër i Arsimit
  • a.Dy fjalë mbi arsyet e vendimarrjes
  •  b.Veprimtaria si ministër i arsimit

     c Perpjekja për shpëtimin e Norbert Joklit

     d. Hapja e shkollave shqipe në Kosovë

     

    3. Koliqi dhe kontributi i tij pas Luftës së Dytë Botërore.

     a.Koliqi dhe Blloku Indipendent

     b. Koliqi, themelues dhe drejtues i revistes “Shejzat”

    Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 maj 1903 në një familje qytetare të Shkodrës më rrenjë të fuqishme shqiptarie. Ai lindi në qytetin e Pashko Vasës, Zef Jubanit, Luigj Gurakuqit, Fishtës e Mjedës. Ernesti vinte nga një formim familjar katolik, por me një ngjyrim të lehtë liberal; me një koncept të patriotizmit tipik të luftrave për pavarësi.[1] Kësisoj, ai e nisi karrieren e vet letrare në shkollën e poetëve të Rilindjes, por ai, i ndihmuar edhe nga një përgatitje organike në shkollat europiane, hodhi hapin përpara dhe u pranua si novator në letërsinë e kohës. Koliqi ishte nipi i Cuk Simonit dhe sternip i Filip Parrucës, ndër famljet më të vjetra tregtare të Shkodrës, prandaj ndër shkrimet e veta na ka dhënë pasqyren letrare më të qartë të këtij mjedisi shoqëror, të cilit ai i përkiste. Shumë i ri Koliqi e filloi veprimtarinë e vet si shkrimtar. Marrëdhëniet e ngushta me Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Shantojen, Benardin Palajn, Karl Gurakuqin, Shuk Gurakuqin, Kolë Kamsin, rrethi i miqvet të zgjedhur për aftësi të veçanta në fushat studimore, administrative dhe me botkuptime të qarta përparimtare politike, qenë për te nji shkollë e mbarë, ku mori udhëzimet jo vetëm për karrieren e tij si letrare, por ndikuan drejtëpërdrejtë në formimin e bindjeve të tij politike, mbi rrugën e përparimit të Shqipërisë.

    Në periudhën e parë të veprimtarisë shoqërore, Ernest Koliqi, që kishte një përgatitje të përsosun të shkollës klasike, tërhoqi menjëherë vëmendjen e Luigj Gurakuqit, personalitetit politik më të shquar që kishte Shkodra së paku, dhe që njihej brenda dhe jashtë Shqipërisë si një ndër krijuesit dhe administruesit e shtetit të parë shqiptar. Luigj Gurakuqi vetë banonte në Rrugën e Gurakuqve, në mëhallen e quajtur Giuhadol, në afërsi të shtëpisë së Shan Koliqit, atit të heroit tonë. Në këtë mënyrë, njohja, miqësia, botkuptimi e idealet e njëjta ishin fare të natyrshme.

    Mjediset e Shkollës Fretnore të Lagjes Giuhadol të Shkodrës ishin pikëpjekja e intelektualëve të qytetit, “ku rriheshin çështje në lidhje me politikën e kohës kur Shqipnija ishte tue marrë nji kthesë në historin e vet.”[2] Pas pushtimit të dytë Kosovës nga serbët në vitin 1918, në Giuhadol, me ndërmjetësinë e Luigj Gurakuqit, Shan Koliqi i jep një shtëpi të tij për banim Bajram Currit, i cili gjeti asokohe strehim në Shkodër. Studiuesit e Koliqit, mendojnë, se duhet të ketë qenë Luigj Gurakuqi, i cili kishte njohuri të gjëra mbi çështet shqiptare, ashtu edhe mbi fatin e Kosovës së robnueme dhe që njihej personalisht me Bajram Currin, Hasan Prishtinen dhe Isa Buletinin, mësuesi i parë që i ka dhanë Ernestit të ri informatat e para përkatëse mbi Shqipninë Verilindore.[3].

    Rritur në këtë mjedis qytetar, patriotik dhe përparimtar dhe mjaft të ngritur nga pikpamja arsimore e kulturore, është e kuptueshme pse në bazamentet e formimit të tij Koliqi përmbante konceptime dhe perspektiva aq atdhetare, liberale, të krishtera, katolike dhe perëndimore të jetës shtetërore, kombëtare dhe asaj private. Prandaj ai gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij shumëplanëshe u përpoq, siç thoshte vetë - “me mendje të ndritur, pa mburrje.... për një zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar”[4]. Koliqi, i përket atij formimi dhe grupimi të elitës shqiptare, që shpëtimin e kombit shqiptar e shihte në një kulturë moderne perëndimore, të ushqyer dhe brumosur prej virtyteve arbnore. Një mik i tij amerikan, në mesin e viteve 1950’, kur Koliqi ishte i ndaluar në Shqipëri dhe i sulmuar nga segmentet prokomuniste të mërgatës shqiptare, do t’i shprehej atij: “E dini pse shumica e Shqiptarvet ju lufton? Pse s’munden me ju kuptue, tue kenë ju, për sa marr vesht vetë, ma i oksidentalizuem ndër shqiptarë!”. E Ernesti do t’ia komentojë kështu mikut të tij Karl Gurakuqit, këtë konstatim të amerikanit: “Kjo cilësi s’asht vetëm e imja; asht e të gjith shkodranvet. Ai amerikani më njihte vetëm mue, por po të kishte njoftun Dom Lazrin (Shantojën), P. Benardinin (Palajn), ty (Karl Gurakuqin) etj., do të kishte dhanë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndrysh prej tjerëvet.[5]

    Ernest Koliqi, ka pas një shpirt luftarak dhe asgjë nuk e ka ndalë kur ai nisej në një drejtim të caktuar. Nuk shikonte as djathtas e as majtas. Përhërë ka dëshiruar dhe është rrethuar nga bashkëpunëtorë të vlefshëm, të cilët kanë punuar me të dhe ai ka ditur ta çmojë punën e tyre. Por pikërisht, në këtë drejtim, ai do të shprehej “unë e çmoj punën e shokut dhe nuk dij ç’asht smira”[6] I pashlyeshëm mbetet kujtimi se si profesor Koliqi shprehej mbi ardhmërinë madhështore të popullit shqiptar, sepse besonte në cilësitë pozitive dhe të jashtëzakonshme të shqiptarit. Ai besonte, se breznitë e ardhshme do t’ia njihnin ndoshta më tepër se bashkohësit, thelbin e koncepteve të tij. Për të mbrojtë tezën e zhvillimit të lumnueshëm të Shqipnisë e të vlerave fisnike, Koliqi fliste me gjuhën po të atij besimi të njerëzve të Rilindjes, që Ai kishte njohur personalisht. Këndej rridhte dhe entuziazmi i asaj periudhe heroike dhe dëshira për ta pa qenien e vet dhe krejt jetën e çdo shqiptari në funksion të çështjes nacionale.

    Për Koliqin vetmohimi për çështjen kombëtare, ndjenja e përgjegjësisë, për të punuar e jetuar si Rilindas ishte e natyrshme dhe e vetvetishme. Ky qendrim jetësor la gjurmë të qarta edhe në krijimtarinë letrare të Koliqit, së pari si krijues dhe mandej edhe si gjurmues i letërsisë shqipe. Tema thelbësore mbetet deri në fund çështja e ekzistencës së kombit, “mbetja gjallë” ose “gjallnesa[7]” Kësisoj konstatimi i Halim Begesë se “Prof. Ernest Koliqi kje nji nga shërbestarët e pakët të denjë të popullit shqiptar, sherbëstar i kombit, i flakët, i vazhdueshëm dhe i qendrueshëm i intelektualizmës shqiptare...”[8] na duket plotësisht i saktë. Si vazhdues i punës së rilindasve të mëdhenj shqiptarë, Koliqi dallohet dhe zë vendin e parë si frymëzues i pazëvendësueshëm i mbjelljes së farës së kulturës.

    Rradha e shërbesave të mëdha në këtë drejtim është e pafund. Në vitin 1923 ndihej nevoja e një organi për të paraqitur opinionet e forcave më përparimtare dhe më përëndimore në rrethanat e koklavituna të jetës së posanisun të shtetit të ri shqiptar. Ndjehej mungesa e një shtypi serioz me drejtime ndërtuese moderne, për t’u shkëputë nga mendësia vjetruar e nëpunësve të kohës otomane. Kështu Ernest Koliqi, sëbashku me Fretnit me në krye At Anton Harapin, me Lazer Shantojen, me Nush Topallin e shumë të tjerë, themeloi fletoren “Ora e Maleve”, jehona e së cilës u ndie anëkend Atdheut, sidomos për kryeartikujt shkruar nga penda të shquara dhe për rubrikën satirike “Ora nder Valle”. Suksesi i fletores qe i madh, ndikimi i shkrimeve të saj qe shumë i ndjeshëm, në jetën politike dhe letrare shqiptare. Prandaj do të ishte e natyrshme, që Koliqi si kryeredaktor i një fletoreje opozitare dhe si mis i lëvizjes së të rinjve “Bashkimi”, të mos këqyrej me sy të mirë nga autoritetet post-otomane të Tiranës, të cilat tek ajo shoqatë shikonin një kërcënim për pozicion e klasës konservatore shqiptare. Fillimisht u duk sikur fitorja anoi nga parimet modernizuese nga shkëputja e sistemevet të vjetruara, por kjo ëndërr qe e shkurtër, sepse në dhjetorin e vitit 1924, forcat konservatore të mbështetura nga qarqe të caktura të fqinjit të veriut rimorën përsëri pushtetin. Rinia dhe forcat demokratike përparimtare, pasuesit e Avni Rustemit, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit etj. e humbën çështjen, dështuan në programin e tyre, u shpërndanë dhe pjesa më e madhe e tyre u largua nga vendi. Koliqi u shtërngue të qëndronte pesë vjet në mërgim në Jugosllavi. Ky qe mërgimi i parë i tij. Mërgata, ndonëse plot vetmohime, u ba nji shkollë e mirë për qëllimet e tij të paracaktueme. Këtu mësoi gjuhën e vendit e filloi të lexonte autorët më të medhenj serbo- kroatë.

    Gjithmonë i nxitun e i këshilluar nga Luigj Gurakuqi, shkroi e botoi poemthin dramatik “Kushtrimi i Skanderbeut”, me përmbajtje patriotike. Pikërisht kjo vepër i dha shpresa të mëdha për të hy përgjithmonë në botën e letrave shqipe. Më 1929 kthehet në Shqipni më vëllimin e novelave “Hija e Maleve”. Në vitet 1930-33 i kushtohet arsimit dhe e ushtron si mësues në Vlonë e Shkodër. Më 1937 kreu studimet universitare në Padovë me tezën “Epica popolare Albanese”, tezë doktorate që u vlerësua shumë nga albanologët Norbert Jokl, Maximilian Lambertz e nga një numër i madh studiuesish të famshëm të Albanologjisë.

    Afrimi i Luftës së Dytë Botërore u shoqërua me lëvizje dhe përmbysje të shpejta të situatës gjeopolitike europiane. Shqipëria ishte një nga vendet e paracaktuara nga projektet e Bllokut të shteteve fashiste për t’u përfshirë tërësisht në këtë lëvizje gjeopolitike. Forca e Shqipërisë ishte e atillë që e vetme nuk mund të garantonte dot as mbrojtjen dhe as integritetin e shtetit të vet. Përballja me këtë realitet të paracaktuar riaktivizoi në një shkallë të lartë opozitën tradicionale, si jashtë ashtu edhe brenda mbretërisë shqiptare. Ernest Koliqi, së bashku me Mustafa Krujën dhe Dom Lazer Shantojën, bënin pjesë në atë grupim të Opozitës së vjetër që u përpoqën ta shmangnin këtë fatalitet të paracaktuar, duke iu drejtuar Italisë për një marrëveshje që do të përjashtonte pushtimin.[9] Faktet dhe rrjedhat e ngjarjeve treguan se besimi, përpjekja dhe marrëveshja e tyre ishte e kotë dhe zhgënjimi i tyre i pashmangshëm. Koliqi vetë, në mënyrë informale, në mes shokësh e miqsh, e ka pranuar këtë angazhim të pasuksesshëm me palën italiane.

    Pala italiane e ndryshoi versionin e marrëveshjes së bërë, që parashikonte krjimin e një commonwealth-i, dhe zëvëndësimin e mbretit Zog me një Princ të Shtëpisë së Savojës[10], me formën e bashkimit të kurorave mbretërore nën të njejtën Perandori. Në këto rrethana të vështira dhe pa rrugëdalje tjetër Opozita mendoi se ndërsa italianët do të kishin pushtetin, ato do të përpiqeshin të manovronin, ose së paku ta drejtonin nga interesat e Shqipërisë. Në këtë arsyetim tyre siç duket ato patën mbështetjen ose bashkëpunimin e Pader Gjergj Fishtës, të Terenc Toçit, të Padër Bernardin Palajt, të Xhevat Korçës, të Dhimitër Beratit, të Aleksandër Xhuvanit, të Xhafer Ypit dhe të tjerëve që pastaj kaluan në rezistencë të hapur[11].Kështu Koliqi, një nga shkrimtarët dhe intelektualët më ne zë të Shqipërisë, mori postin e ministrit të arsimit duke u përfshirë në qeveri të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta.[12] Në stadin aktual të kërkimeve dokumentare unë nuk mund të përcaktojmë arsyet e drejtëpërdrejta që e kanë shtyrë Koliqin në marrjen e këtij vendimi, apo në detyrimin për marrjen e këtij vendimi. Ky moment përbën, sipas mendimit tim, një nga më delikatet dhe më të diskutueshmit të vendimarrjes së tij. Sot, pas më shumë 60 viteve rrjedhash të historisë, të vlerësimeve, përçmimeve, ndalimeve dhe rehabilitemeve, mund të themi se përzgjedhja e Koliqit nga pikpamja formale përbën një peshë të rëndë ndaj figurës së tij. Nga pikpamja e veprimtarisë së tij konkrete, impaktit konkret që vendimi dhe veprimtaria e tij pat në terrenin shqiptar dhe mbarëshqiptar, mendoj se ajo është një nga shembujt e pakët në historinë e arsimit, kulturës dhe shkencës shqiptare kur dikasteri në fjalë, i udhëhequr nga një rilindas i ri , shkencëtar, shkrimtar, dhe shpëtimtar i atdheut, arriti rezultate të atilla që asnjë nga ministrat mëpastajmë të arsimit shqiptar deri më sot, nuk e arriti. Kjo, si për sa i përket intensitetit kohor të arritjeve, ashtu edhe për sa i përket vëllimit total të veprimtarisë cilësore.

    Kësisoj, Ernest Koliqi ndoshta ka bërë një përzgjedhje politike që i ka lënë pas gjurmë që ende vazhdojnë të diskutohen, por Shqipërisë dhe shqiptarëve, ai edhe në këte rast, u ka bërë shërbime shembullore dhe të pangjashme, u ka hapë përspektiva që kanë lënë gjurmë dhe që përbëjnë precedentë themelore në arsimin, shkencën dhe kulturen e këtij populli. Do të doja që për ilustrim të jepja disa pasazhe nga vetë Koliqi, që i komunikohen për herë të parë publikut të gjërë. Ja si e shprehte Ai pozicionin e tij si ministër, në një letër tjetër drejtuar Karl Gurakuqit: “....Të shamet e belbacukëvet të gjuhës shqipe nëpër radjo të Tiranës e të Londrës (me më shi mue janë dakord) e shkrimet epileptike të mistrecave qi qohen në maje të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikanta serioza, nuk më bajnë mu as të xet as të ftohtë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat ma të vështira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata që më njohin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi me je gjetë pranë si bashkëpunëtor në rasat ma kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës seme këshilltarët italjanë nuk pijshin uj. Pergatitja me tekste, vendosun nji herë e mirë mbi terminologjin shkollore; themeluem Institutin e Studimeve Shqiptare qi edhe komunistat tue i nderrue vetëm emnin e mbajtën, përmirësuem gjendjen e mësuesve e të profesoreve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala jon kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): Kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha teqet e bektashijvet, nisa studenta nder male me mbledhë pasurinë folklorike, futa nder xakona në Kosovë (para çlirimit) konviktorë vendas me libra shqip. Sa erdha si minister mora rishtas në shërbim Lasgush Pogradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori em, e u dhashë rrogat e mbrapambetuna. Lirova me garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzzoni. para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (në mos ta mirrshem në shërbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene)”[13] Në kohën e Koliqit Ministria e Arsimit përshkohej nga një frymë liberale që ishte krejt e kundërt me drejtimet politike të dhena nga ato që Ernesti i quen “sunduesat e kohës” “Giro, shkruan Koliqi, pat protestue rrebtësisht sa herë për vepren teme tepër nacjonaliste si arsim, por Jacomoni s’e lente me na qite pengime në Ministri; patem shti (në librin e Historisë së Letërsisë) ne radhe te shkrimtarëvet Midëhat Frashërin, Fanolin, Faik Konicen, kundershtarë të deklaruem t’atij rregjimi, e plot të tjerë. Patem shtu edhe Migjenin, për të dhanë një shembull të letërsisë me kujdese shoqnore.”[14]

    Ministria e Arsimit e drejtuar nga Koliqi, nga një organ i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një organ shtytës nxitës i tërë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohsisht duke funksionuar si asnjëherë më parë, edhe si organ largpamës administrativ.[15] Ernest Koliqi qendroi për dy vjet ministër i arsimit, më pak se dy vite në kryesi të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe më pak se gjysëm viti në presidencë të Dhomës së Deputetëve. Ernest Koliqi minister i arsimit, mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët ma në zë (e papërsëritshme deri më tani në dikasterin e arsimit shqitar) dhe së bashku me to filloi hartimin dhe botimin e tekteve shkollore, që ende sot janë shembuj të çmueshëm, pse jo edhe të paarritshëm në pikpamje pedagogjiko-shkencore e kombëtare. Për të parën herë u botua historia e letërsisë shqiptare në dy vëllime: “Shkrimtarët Shqiptarë”, e redaktuar gjegjësisht nga Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi, ky i fundit dora e djathtë e ministrit. Nën kujdesin e Koliqit një komision i përbërë nga Aleksander Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqerem Çabej, grumbulloi, përpiloi lëndën e të parës antologji që u botue më 1943 me titullin “Bota Shqiptare”. Për procesin e përpilimit të teskteve ministria e arsimit thirri nga Piana degli Albanesi Profesorin arbëresh Gaetan Petrotën. Dikasteri i Arsimit i dha nji hov të madh studimit dhe mbledhjes së folklorit, ndërmarrje që është e mishëruar në vijimin e botimit të shumëvëllimëshit “Visaret e Kombit”. Në këtë varg bën pjesë Fjalorthi i përpiluem nga Dom Nikollë Gazulli, që përmban 5000 fjalë të rralla nga veriu i Shqipërisë, dhe që është i pari fjalor përshkrues e normativ i gjuhës shqipe. Më 1940 Koliqi organizoi në Tiranë një Kongres të Studimeve Shqiptare, ku morën pjesë, përveç studiuesve shqiptarë, albanologët më të shquar botërorë si prof. Carlo Tagliavini, Antonio Baldacci, Francesco Ercole, Angelo Leotti, Gaetan Petrotta. Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, dhe pranë këtij u themelua edhe Biblioteka Albanologjike dhe Muzeu Etnologjik

    Një moment madhështor, krenarie për të gjithë ne shqiptarët është përpjekja e paepur e Koliqit për të shpëtuar Norbert Joklin nga kthetrat hitleriane. Kjo përpjekje është tregues i shkallës së lartë të pavarësisë administrative dhe distancës së largët të Koliqit nga “sunduesat e kohës” Shkresa e mëposhtme është vetëm një prej përpjekjeve të njohura të heroit tonë, në një kohë qe ende nuk dimë me saktësi përpjekjet e tjera të bëra nga autori në nivelet më të larta zyrtare:

    Ja përmbajtja e shkresës pa komnet:

    Mbretnija Shqiptare

    Ministria e Arsimit

    Nr. Prot.370/33

    Tiranë më 6.10.1941-XIX

    Të nderueshmit Zotni

    Dr. Prof. Norbert Jokl

    Vjenë

    Tue çmuem Veprimtarin Tuej, qi tash sa vjetë keni zhvilluem rreth ditunis gjuhësore shqipe me anë botimesh të randësishme, Këshilli i Ministravet, me vendimin e vet Nr. 1128, me 3 shtatuer 1941- XIX, pranoi propozimin e Ministrisë së Arsimit për të Ju marrun në shërbim me kontratë për nji vjetë kohë, d m.th. prej 1 korrikut 1941 deri me 30 qershuer 1942-XIX, si organizatuer të bibliotekavet të Shqipnis me rrogë mujofe fr. shq. 600 (gjashtëqind)
    Jemi të sigurtë se prej veprimit Tuej, arsimi ynë dhe i tanë populli shqiptar do të nxjerrë nji përfitim të madh shkencuer. Ju lutëm qi porsa ta merrni këtë shkresë, të kryeni formalitetet e udhtimit e të niseni sa ma parë për në Tiranë

    Ministri

    Ernest Koliqi

    (Vula dhe nënshkrimi)[16]

    Një moment mjaft i veçantë, që në planin kombëtar merr një rëndësi të dorës së parë, në karrieren politike të Koliqit, është nisma dhe udhëheqja e drejtëpërdrejtë e procesit të hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare të çliruara nga okupatori sllav.
    Gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore, në prill 1941 pas sulmeve të rrufeshme të gjermanëve, Jugosllavia e Karagjorgjëviqëve u shkatërrua, e kësisoj edhe Kosova e robëruar egërsisht deri atëhere u çlirua papritmas nga zgjedha sllave dhe u bashkua me Shqipërinë. Historia është e mbushur me koincidenca rrugësh të njëjta dhe njëkohësisht të padëshirueshme. Çlirimi i tokave të pushtuara shqiptare ishte rrjedhojë e logjikshme e aspiratave legjitime kombëtare. Fatkeqësisht, këto aspirata të kombit shqiptar (natyrisht jo të komunistëve shqiptarë që në këtë moment ndodheshin nën ombrellën e plotë jugosllavo-sovjetike) rastisën në të njejtin kah me strategjinë e Boshtit, që e kishte dezintegrimin e Jugosllavisë në projektet e veta ekspansioniste.

    Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë përsonale, Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. “Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet s’paku, gjuhë slave në shkolla e n’administratë”[17] Kështu, Koliqi hapi dhe përkrahu shkollat shqipe në Kosovë e prej këtyre shkollave doli elita e parë e mësuesve dhe intelektualëve kosovarë. Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministris, Koliqi e emmoi drejtor konvikti në Prishtinë. Profesor Koliqi, me vullnetin dhe me shpirtin e një idealisti nuk kurseu energjitë e tij dhe mjetet shtetërore që kishte në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsimor në viset e lirueme me elementa të shëndoshë, qi dhanë hov e gjallni shkollës shqipe.[18] Ky fakt i madhnueshëm i aspektit kulturor i bashkëngjitun me faktin politik të krijimit të një Shqipërie në kufijtë e saj natyrorë, pavarësisht rrethanave në të cilat u krijuan, kanë mbetur një precedent i rëndësishëm dhe i kujtueshëm vazhdimisht në historinë dhe gjeopolitikën ballkanike, dhe sidomos në kohën tonë ka një pasqyrim të paimagjinueshëm aktual.
    Rexhep Krasniqi shkruen kështu për këto zhvillime: “Kur u emnuesh Drejtues i Shkollës Shqipë në Prishtinë, Prof Koliqi (Ministër i Arsiemit n’at kohë) ndër të tjera udhëzime, shquejti tri pika me randësi të posaçme: 1) Ministria e Arësimit ven bujarisht në dispozicion mjete financiare dhe material të ndryshëm për ekuipazhin e shkollës dhe të Internatit si dhe për ushqim e veshëmbathje të studentave bursistë; 2) Mësimi i gjuhës shqipe do të kishte prioritetin mbi të gjitha landët e tjera, mundësisht, me nga dy orë të përditshme për të gjitha klasat, dhe po për kët qellim ai porositi që 3) studentat e kësaj shkolle nuk do të kishin nevojë të marrin pjesë në organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë e vjetër”.[19]

    Në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)... Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë.[20]

    Perveç kontributit të paçmueshëm për shkollat shqipe të Kosovës, Koliqit i detyrohet edhe dërgimi nëpër universitetet e Italisë i disa dhjetrave studentëve kosovarë për të zhviluar stazhe dhe për t’u përgatitë dhe specializuar në degë të ndryshme të diturisë, që ma vonë do të bëhën shtyllat e shëndosha për të themeluar kulturën kombëtare në viset e çliruara.
    Pjesën ma të madhe Koliqi e kaloi në dhe të huaj, në nji anë gjithnji në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe, dhe në tjetrën si profesor universiteti e shkrimtar në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore. Mbas ardhjes në fuqi të diktaturës komuniste në Shqipëri, Koliqi është mobilizuar krejtësisht në luften për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i kuq dhe ka qenë truri i Grupit “Blloku Independent”, që u aktivizua në veprime diversioni për rrëzimin e regjimit gjakatar të te qarqeve sllavo-labo-komuniste. “Njerëzit tonë po dërrmohen në burgje, në punë të rënda e në forma të uris e terrorit. Ky mendim ma tarratisë bukurinë e rrezëshme të pamjes qi më çilet para syve”.[21], ja, kështu e vuante ai gjendjen e pashpresë në të cilën ndodhej Shqipëria. “Blloku Indipendent” nën udhëheqjen e Koliqit bëri përpjkeje e veprimtari konkrete për çlirimin e vendit, në bashkëveprim të drejtëpërdrejtë me shqiptarët e Kosovës së emigracionit të mbledhur rreth “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, “Legalitetin” dhe me pjesën e matur dhe atdhetare të “Ballit Kombëtar”, atë të paprekuren nga ato që Ernesti e quan pjesa e prekur nga kanceri i shërbimeve të fshehta të vendeve komuniste.[22] Me nismën e drejtëpërdrejtë të Abaz Kupit që më 1949, këto grupe u bashkuan të ashtuquajturin “Komiteti për Çlirimin e Shqipërisë”, një komitet ky i përgjithshëm antikomunist shqiptar.
    Më 1957, me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, të datës 2 shtator 1957, Katedra e Gjuhës e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, për meritë të Koliqit u shndërrua në Institut të Studimeve Shqiptare.
    Ernest Koliqi ka qenë edhe themeluesi dhe drejtuesi i revistës “Shejzat”. Revista “Shejzat” lindi si organ kulturor, shoqnor dhe artistik i intelektualëve dhe shkrimtarëve shqiptarë të mërgimit, të kryesuar nga Ernest Koliqi, në kushtet e mirënjohura diktatoriale që po kalonte shteti amë i shqiptarëve, në kushtet e dhunimit dhe fshirjes së arritjeve më të mira të shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë të traditës. Ajo shërbeu si një votër ku këta shkrimtarë mblidheshin për t’u dhanë shfrim afsheve të shpirtit të tyre të madh kombëtar dhe intelektual. Themelimi i këtij organi u bë në një kohë kur Shqipëria dhe shqiptarët kishin më shumë nevojë për këto penda, “të vetmet që mund të mbanin nalt rrafsholin e kulturës shqiptare me krijesa gjithmonë të reja, të frymëzueme nga ndiesi të pastra kombëtare”[23] “Shejzat” kësisoj lindi, u zhvillua dhe u mbajt gjallë për 20 vite me radhë nga vitit 1957 deri më 1978 nga kjo aradhë e tërë shkrimtarësh dhe studiuesish të emigracionit, të cilët e konsideronin si detyrë të tyre parësore krijimin e një vatre intelektuale të të gjithë atyre që synonin në një pikë: çlirimin e Shqipërisë nga diktatura antishqiptare e antivlerave. Ata ishin intelektualë të vërtetë që me vetedijë të dëtyrës së vet, ushtruan profesionin e letrave dhe shërbyen si syri i kombit në një prej momenteve më të vështira dhe më të pashpresa të tij. Ata e kishin të qartë se pa “vepren dritë- përhapse të intelektualve të njimendtë, një komb asht si i verbti, mbi një udhë plot gropa e çarravina të rrezikshme”.

    Nga ana tjetër, “Shejzat” mund të konsiderohen vazhduese të drejtëpërdrejta të të Përkohshmeve të lavdishme shqiptare: “Hylli Dritës”, “Leka”, “Illyria”, “Shkëndija”, etj., dhe themeloheshin në një kohë kur Shqipëria zyrtare vuante nga pikpamja intelektuale nga mospasja e një reviste për të qenë, kur shkrimtarët e mëdhenj, themeluesit e institucioneve të studimeve shqiptare ishin shpallur të paligjshëm, kur liria akademike ndodhej nën tutelën dhe kontrollin e drejtëpërdrejtë të partisë-shtet. “Shejzat” lindën në një kohë kur brezi i ri i Shqipërisë zyrtare ndodhej në errësirën e dezinformimit, nën frikën e sundimit të hurit, litarit, deportacjoneve, frikës dhe tmerrit. Shejzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kronikën e tyre edhe ngjarje shoqnore dhe politike që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kulturor për një periudhë njëzetvjeçare Vendi Shejzave në studimet shqiptare:
    Shejzat, zënë një vend të rëndesishëm ndërlidhës mes organeve kulturore dhe shkencore që kanë pasur si objekt të tyre botues studimet shqiptare. Në të njejtën kohë ky organ plotësoi një boshllek të madh të krijuar nga rrethanat politike të lartpërmedura në përcjelljen e frymës rilindase nga vitet e para 1944-ës në ditët tona. Shejzat krijuan një ndërlidhje të shkëlqyer mes mërgatës së intelektualëve më të shquar shqiptarë, botës studimore arbëreshe të Italise, si dhe albanologëve të huaj. Në sajë të punës së jashtëzakonshme të bërë nga botuesit dhe bashkëpunëtorët e Shejzave, Studimet Shqiptare patën një zë të tyre të lirë, larg politizimeve, mediokriteteve dhe kornizave nën të cilat u vendosen padrejtësisht dhe në mënyrë të pameritueme studiuesit e shkencave shqiptare në shtetin amë.[24]
    Prezantimin tim dëshiroj ta mbyll me një pjesë të përmbajtjes së letrës që Prof. Koliqi i dërgon me 3 dhjetor 1960, me rastin e festimeve të festes kombetare shqiptare, mikut të tij Karl Gurakuqi: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët qi më drejton me rasën e 28 nandorit dhe për urimet qi më ban. ...ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë me mende të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna qi kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimi letrar qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindjet breznive t’ardhshme”.[25]

Kthehu tek faqja Kryesore1

Copyright © 2006 nue_oroshi@yahoo.de

[FAQJA KRYESORE] [E DJATHTA SHQIPTARE] [KUMTESA] [AKTIVITETE] [LIBRAT E BOTUARË] [MATERIALE] [SESIONET] [OPINIONE] [RECENZIONE] [KULTUR] [PORTRETE] [STAFI DREJTUES] [ALBUMI FOTOGRAFIKË] [LIBRI VIZITORVE] [KONTAKT]