skenderbeg

geizhals

 

albaniaC1 USA REXHEP KASTRATI Harta 309
www.shqiperiaetnike.de
image_misc_scanderbeg
120
rexhep kastrati

Rexhep Kastrati

ASPEKTE PROGRAMORE TË DISA ORGANIZIMEVE POLITIKE SHQIPTARE TË PASLUFTËS SË DYTË BOTËRORE PARË NË KONTEKSTIN GJEOPOLITIK TË KOHËS

Periudha për të cilën po flasim, pra periudha pas Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943-1944) e deri në fund të viteve ‘50 të shekullit XX, përveçse përfaqëson një periudhë të inercionit gjeopolitik të aleancave të mëhershme gjeopolitike, në të vërtet, jep argumente të bollshme për pozicionime të dëmshme gjeopolitike shqiptare. Natyrisht se me këtë rast aludojmë te regjimet komuniste shqiptare, por edhe te pjesa tjetër e klasës politike të kohës. Katandisja si mos më keq e shqiptarëve në fund të Luftës së Dytë Botërore, është pasojë pikërisht e krijimit të aleancave të panatyrshme ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve nëpërmjet një ideologjie politike, por edhe e lajthitjes së një pjese tjerër të klasës politike shqiptare të kohës, e cila deri në momentin e fundit besoi se një front i përbashkët me komunistët kundër fashistëve e nazistëve është i mundur dhe frytdhënës për shqiptarët. Edhe pse e organizuar në Ballin Kombëtar dhe në Legalitet, pjesa jokomuniste e klasës politike shqiptare të kohës vazhdoi ta kishte iluzionin se me komunistët mund të merrej vesh dhe të bashkëpunohej. U desh të ndodhte Mukja (1943) dhe Bujani (1943-1944) që kjo pjesë e klasës politike ta kuptonte se ishte tradhtuar dhe se nuk kishte gjë nga komunistët. Ndërgjegjësimi i vonshëm i pjesës jokomuniste të klasës politike shqiptare të kohës, nuk i ndihmoi asaj që të bëhej faktor i qenësishëm në zhvillimet sociohistorike të kohës e as partner shumë i besueshëm për aleatët perëndimorë, edhe pse anglezët ishin të disponuar deri në fund që ta mbanin gjallë. Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë për Kosovë e Metohi e ndienin veten komode dhe të pacënueshme në paraqitjen e tyre si forca politike me të cilat duhej të bisedohej. Dhe kjo kishte efekte edhe në zhvillimet ndërkombëtare siç ishin Konferenca e Teheranit (1943) dhe e Jaltës (1945), në të cilat u përcaktuan raportet gjeopolitike ndërmjet SHBA-ve, Anglisë dhe BRSS-së, me ç’rast shqiptarët mbetën në sferën e ndikimit sovjetik. Shkapërderdhja e klasës politike jokomuniste shqiptare ishte e nënkuptueshme, me ç’rast një pjesë e saj u likuidua fizikisht, kurse pjesa tjetër arratiset në shtete të ndryshme të botës. Në këtë kuptim, Lidhja e Dytë e Prizrenit (1944) paraqet maksimumin e asaj që pjesa jokomuniste e klasës politike shqiptare të kohës ka mundur të bëjë në atë kohë. Riafirmimi i idesë për bashkim kombëtar në platformën e saj si dhe përcaktimi për një qëndrim jokomunist, e pse jo edhe kundërkomunist, në të vërtet Lidhjen e Prizrenit të dytën me radhë, e bënë atë që të jetë pikëreferim programatik për veprimtarinë politike të organizatave politike të shqiptarëve në diasporë. Dhe kur themi këtë, mendojmë kryesisht në Bllokun Kombëtar Independent dhe në Komitetin Kombëtar “Shqipëria e lirë”, pasi këto dy organizata politike arritën që të tubojnë rreth vetes pjesën më të madhe të pjesës së mbetur të klasës politike jokomuniste që kishte arritur të arratisej në Itali, Gjermani, Francë, SHBA etj. Ndikimin më të madh programatik, Lidhja e Dytë e Prizrenit e pati në Bllokun Kombëtar Independent, pasi që ai bëri koalicion me Lidhjen e Dytë të Prizrenit në Mërgim, përkatësisht me grupin e Xhafer Devës, me grupin e Ali Këlcyrës nga Balli Kombëtar dhe me Bashkimin Demokrat, duke u bërë kështu organizata më gjithëpërfshirëse e kohës. Aspekte programore të Bllokut Kombëtar Independent mund të vërehen në Statutin e tij të miratuar më 6 nëntor 1946 në Romë, kur edhe u themelua si organizatë politike. Para se të kalojmë te Statuti, është me rëndësi të thuhet se në pikën 2 të Proces verbalit nga mbledhja themeluese, kuptohet qartë angazhimi i B. K. I.-së për të bashkëpunuar “me të gjithë ata shqiptarë a grupe shqiptarësh që kanë për qellim luftimin me çdo mjet ligjuer të përshtatshëm për shpetimin e atdheut nga robnija, nga terrori dhe nga çfarosja e racës që dita ditës po i kërcnohet e që duen t’i sigurojnë popullit sovranitetin e integritetin tokësuer tansuer si dhe të gjitha liritë demokratike e sidomos ato të shprehjes së votës për përcaktimin e formës konstitucionale të shtetit.”, ku vërehet se nënshkruesit e këtij Proces verbali: Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjomarkaj, Qazim Mulleti, Dr. Xhemil Dino, Nebil Dino, Dr. Ismail Vërlaci, Prof. Ernest Koliqi, Nexhmedin Vrioni, Dr. Xhelal Mitrovica, Prof. Namik Resuli, Prof. Sotir Kozmo, Kap. Asllan Libohova, Pandeli Papalilo, Luigj Gjergjola, Safa Vlora, Jak Koçi, Dr. Eduard Liço, Don Frano Karma, Kap. Jorgji Ruço, Kap. Kapllan Libohova, Theofan Qesari, Dr. Kadri Myftiu, Dr. Lin Shkreli dhe Prof Stefan Gazuli, shpërfaqën vullnetin dhe gatishmërinë që të angazhohen për shtet ligjor, zgjedhje të lira, mbrojtje të tërsisë territoriale dhe të sovranitetit, për të cilat mund të thuhet se janë koncepte që politika është duke i përtypur në ditët e sotme. Përveç kësaj, edhe angazhimi për ta mbajtur diasporën të unifikuar dhe të mobilizuar për t’iu përgjigjur thirrjes për ta përmbysur regjimin komunist të Tiranës dhe për ta vendosur një rend demokratik, si dhe përcaktimi i të gjithëve për të punuar brenda organizatës, pra për t’i thënë jo veprimtarisë individualiste dhe bajraktariste, përbëjnë vlera të tjera politike qoftë në aspektin e vetëdijes politike, qoftë edhe të metodologjisë së veprimit politik, të cilat duhen respektuar dhe afirmuar edhe në nivele ndërkombëtare. Këtë vetëdije politike të themeluesve të Bllokut Kombëtar Independent, si dhe filozofinë politike të tyre, e shpërfaq Statuti Themeltar, i cili ka 13 pika dhe të cilat lirisht mund të jenë edhe pjesë programatike të secilës parti moderne shqiptare, pasi që në to afirmohet: ruajtja e tërësisë territoriale shqiptare bashkë me pavarësinë e tij dhe zotimin që në mënyrë paqësore të krijohet Shqipëria etnike dhe jokomuniste (pika 1); ruajtja e vlerave tradicionale siç janë: respekti për personalietin e individit, të familjes, të lirive shoqërore, politike, të nisiativës së lirë, gjithnjë në dobi të përgjithshme (pika 2); respekti për pronën private (pika 3); angazhimi për bashkëpunim me të gjithë ata që janë të interesuar për çlirimin e Shqipërisë (pika 4); përcaktimi për mëvetësi institucionale nëpërmjet votës së lirë të qytetarëve (pika 5); angazhimi për ndalimin në Shqipëri të partive me financime të huaja, të partive me bazë fetare, të partive pjesë të formacioneve të huaja, parti që shpërdorojnë liritë politike dhe që synojnë të vendosin regjime totalitare, parti politike që pagëzohen me emra, mbiemra e tituj personash (pika 6); angazhimi për ndarjen e fesë nga shteti (pika 7); angazhimi për një arsimim mbi baza kombëtare por duke shfrytëzuar edhe rezultatet moderne të dijes dhe të shkencës (pika 8); angazhimi për riatdhesimin e të gjithë shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga trojet shqiptare (pika 9); angazhimi për miqësi me të gjithë shtetet, sidomos me fqinjët duke ruajtur rigorozisht interesin kombëtar (pika 10); angazhimi për zhvillimin ekonomik privat dhe shtetëror dhe për ndalimin e monopoleve të ndryshme që dëmtojnë interesat kombëtare (pika 11); angazhimi për lejimin e kapitaleve të huaja kur ato i nënshtrohen rregullativës ligjore të vendit (pika 12), si dhe; angazhimi që në fazën tranzitore të ndalohet çdo lloj hakmarrje apo të ndonjë veprimi pa gjyq të rregullt (pika 13). Kujtojmë se të gjitha këto pika, pa i hequr asnjë presje, janë, ose mund të jenë pamëdyshje të pranueshme nga të gjitha partitë e sotme politike, pasi që aty ke të gjitha që i duhen një shteti për të qenë i lirë, demokratik dhe i zhvilluar ekonomikisht, siç janë rregullimi i brendshëm dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Filozofia politike e shpërfaqur nëpërmjet Statutit themeltar të B.K.I.-së, është një filozofi politike shqiptare, është një filozofi politike moderne dhe e mbështetur në parimet e shtetit ligjor dhe të bashkëpunimit të sinqertë dhe të barabartë të shtetit shqiptar me shtetet tjera. Edhe pse për jetësimin e kësaj filozofie politike dhe të këtyre angazhimeve programatike, B. K. I. u angazhua maksimalisht, bile edhe me kundërvënie të armatosur, duhet thënë se nuk pati sukses, edhe për shkak të kontekstit gjeopolitik, që ishte shumë i pafavorshëm. Thënë shkurt nuk kishte përkrahje ndërkombëtare. Arsyeja se përse mungoi përkrahja ndërkombëtare, ishte pikërisht pika e parë e Statutit, sipas të cilës B. K. I. angazhohej për Shqipërinë etnike, edhe pse ky qëllim mëtohej të arrihej në mënyrë paqësore. Duhet thënë me këtë rast se pika themelore e një filozofie politike nacionaliste shqiptare që kishte të bënte me krijmin e shtetit-komb, nuk kishte kundërshtimin vetëm të diplomacisë së kohës kur ishte themeluar B. K. I. e që ishte kohë e shndërrimit të luftës së ftohtë, në luftën e katërt botërore, por ishte edhe trashëgim nga kontekstet gjeopolitike paraprake, siç ishin ai i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912 – 1913 e në vazhdim) dhe të Konferencës së Vërsajës (1919 – 1921 e në vazhdim). Në të vërtet angazhimi i shqiptarëve për Shqipërinë etnike nuk ishte përkrahur kurrë nga diplomacia ndërkombëtare, përfshirë edhe atë amerikane. Me këtë rast duhet të themi se Udru Uilsoni, kryetari amerikan në kohën e Konferencës së Versajës, në fjalimin e tij programatik mbajtur më 8 janar 1918 në Kongresin Amerikan, fjalim që njihet me emrin “14 Pikat” për shkak se ishte formuluar në 14 pika, dhe në të cilin fjalim për herë të parë angazhohet që çështjet dhe kontestet ndërmejt palëve në Luftën e Parë Botërore (1914 -1918) të zgjidhen nëpërmjet diplomacisë së hapur dhe jo të mbyllur siç bëhej në Evropë dhe duke respektuar të drejtën për vetëvendosje të kombeve, sa i përket çështjes shqiptare, shpreh angazhimin për ruajtjen e status-quo-s së krijuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912 -1913 e në vazhdim). Në këtë fjalim, Udru Uilsoni ka kërkuar nga Serbia dhe nga Mali i Zi që të kthehen në gjendjen e 1913, kurse për territoret osmane në Ballkan, ka kërkuar autonomi. Arsyet e qëndrimit të këtillë, historiografia shqiptare duhet t’i kërkojë qetësisht dhe me qasje profesionale në dokumentet e kohës, kurse ne jemi të prirur që disa nga arsyet t’i gjejmë edhe te veprimi politik i shqiptarëve që vetë në momente të caktuara u përcaktuan për koncepte autonomiste, siç është rasti me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe me lëvizjet autonomiste të fillimshekullit XX, kur edhe shqiptarët u angazhuan në një lëvizje xhonturke “Bashkim e përparim”, në mospozicionimin e mirë gjeopolitik, me ç’rast në fund të Luftës së Parë Botërore, ata u gjendën në krahun e shteteve humbëse të luftës, për dallim nga Serbia e Mali i Zi që ishin në anën e shteteve fituese të luftës. Sido që të jetë le të jenë këto vetëm hipoteza që duhet t’i nënshtrohen një konfirmimi faktografik nga historiografia shqiptare. Nga konteksti gjeopolitik i Konferencës së Versajës, duhet përmendur edhe angazhimin e Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë së posakrijuar me këmbënguljen amerikane, e në mënyrë të veçantë të vetë kryetarit Uilson, që aspiratat ndaj Shqipërisë londineze t’i realizojnë nëpërmjet një protektorati tripalësh, i cili angazhim u modifikua nga Jugosllavia komuniste që nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe me regjimin e Enver Hoxhës ta shndërronte në protektorat jugosllav mbi shtetin aktual shqiptar. Gjatë viteve 1946 – 1947, u nënshkruan një mori marrëveshjesh, traktatesh e protokollesh ndërmjet Beogradit dhe Tiranës që parë në tërësi krijojnë kuadrin e qartë ligjor të një protektorati de facto jugosllav mbi Tiranën. Ndër këto dokumente më drastikët janë: Marrëveshja dhe Protokolli si pjesë e saj për unionin doganor ndërmjet Beogradit dhe Tiranës e nënshkruar më 27 nëntor 1946, ajo për krijimin e bankës shqiptaro-jugosllave, nënshkruar në Beograd më 28 nëntor 1946 etj. Është interesant të thuhet se shumica e marrëveshjeve dhe e protokolleve të këtilla janë nënshkruar më 27 dhe 28 nëntor 1946, pra brenda dy ditësh. Në këtë mënyrë bëhet e qartë se pavarësisht nga zhvillimet sociohistorike e gjeopolitike, qëndrimi ndërkombëtar ndaj angazhimit të shqiptarëve për shtetin-komb ka mbetur i njëjtë – refuzues, ashtu siç kanë mbetur të njëjta edhe aspiratat e shteteve fqinje kundrejt shtetit aktual shqiptar edhe në kohën e themelimit dhe të veprimit të Bllokut Kombëtar Independent. Përndryshe kjo organizatë politike, siç u pa edhe më lartë, përveç idesë për krijimin e Shqipërisë etnike, i kishte të gjitha qëllimet që i kishin edhe shtetet perëndimore kundrejt regjimit të Enver Hoxhës dhe do të duhej të gëzonte përkrahjen e perëndimorëve. Duhet thënë se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një luftë tjetër botërore sapo kishte filluar: Uinston Çerçilli, më 15 mars 1946 edhe zyrtarisht kishte deklaruar luftën e ftohtë dhe kishte folur për perden e hekurt ndërmjet Perëndimit kapitalist dhe Lindjes komuniste. Që nga ajo kohë, angazhimi kryesor i amerikanëve dhe i britanikëve u bë përmbysja e regjimeve komuniste në shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore si hap për përmbysjen edhe të regjimit komunist në Moskë. Në funksion të këtij qëllimi, amerikanët dhe britanikët kishin vënë të gjitha: diplomacinë, ushtrinë, shërbimet sekrete, paratë etj. Se është kështu dëshmon edhe fakti se më 4 prill 1949 u nënshkrua Traktati i Atlantikut të Veriut dhe u krijua Organizata Ushtarake e njohur si NATO, kurse më 1 qershor të po atij viti u krijua Komiteti “Evropa e Lirë”. NATO, ashtu edhe Komiteti “Evropa e lirë” ishin krijuar pas acarimeve të skajshme ndërmjet evroamerikanëve dhe Bashkimit Sovjetik pas publikimit të Planit Marshall më 5 qershor 1947, pas krijimit të Informbyrosë më 5 tetor 1947 e sidomos pas krijimit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik Evropian (OBEE) që kishte për qëllim të operacionalizonte Planin Marshall dhe pas ndalimit nga ana e sovjetikëve të trafikut midis Berlinit Lindor dhe atij Perëndimor në qershor të atij viti. Me fjalë të tjera ishte krijuar psikoza e luftës dhe ishte kohë kur pritej edhe ndonjë sulm ushtarak nga ana e Moskës. Dhe në këtë psikozë lufte ishin edhe shqiptarët, të cilët pritnin një përkrahje nga amerikanët për ta përmbysur regjimin e Tiranës. Mirëpo, amerikanët ishin të interesuar për të përmbysur regjimet komuniste e jo për të zgjidhur konfliktet etnike. Për më tepër jugosllavët për herë të dytë pas asaj të viteve të Luftës së Parë Botërore, kishin rifituar simpatinë e amerikanëve. Kjo erdhi si pasojë e prishjes së Beogradit me Moskën (1947) dhe e përcaktimit të Titos për një socializëm vetëqeverisës, që nga perëndimorët kuptohej si regjim më demokratik dhe më i pranueshëm se sa i vendeve të tjera komuniste. Në një kontekst të këtillë gjeopolitik e gjeostrategjik, edhe shqiptarët filluan t’i modifikojnë kërkesat e tyre politike kundrejt faktorëve ndërkombëtarë. Krijimi i Komitetit të Parë Kombëtar “Shqipëria e Lirë” në shembëlltyrën Komitetit “Evropa e Lirë”, më 26 gusht 1949 në Paris nga Mitat Frashëri, tregoi qartë se shqiptarët, përkatësisht kjo organizatë politike, që ishte nën ndikimin amerikan dhe financohej prej tyre, nga angazhime nacionaliste shqiptare për Shqipërinë etnike, kaloi në angazhime politiko-ideologjike, siç ishte angazhimi për përmbysjen e regjimit komunist në Tiranë dhe për vendosjen e demokracisë. Edhe pse kjo nuk u bë menjëherë, pasi që edhe K. K. SH. L.-ja përbëhej nga grupacione të ndryshme politike siç ishin ta zëmë “Legaliteti” ose edhe “Partia Katundare” e Seid Kryeziut, duhet thënë se kjo ndodhi më vonë: më 1954 kur edhe botohet Statuti i K.K.SH.L.-së së riorganizuar. Para se të shikojmë aspektet programatike të shpërfaqura nëpërmjet këtij Statuti, të themi se për dallim nga Blloku Kombëtar Independent, themeluesit e të cilës treguan unitet politik me rastin e themelimit të tij, K. K. SH. L.-në e përcollën probleme organizative dhe njerëzore, pasi që nga fillimi veprimtarinë e tij e shoqëruan përçarje dhe mosmarrëveshje. Të kujtojmë me këtë rast se që në fillim, Ndue Gjomarkaj dhe Athanas Gegaj, të propozuar për të qenë anëtarë të K. K. SH. L.-së kundërshtuan të jenë në të. Mirëpo, nuk ishin vetëm këto probleme për K. K. Sh. L.-në; Balli Kombëtar vazhdonte të bënte probleme, edhe përkundër angazhimit të vetë Mitat Frashërit, Abaz Kupit, Zef Palit, Seid Kryeziut, Nuçi Kottës që përbënin Komitetin Ekzekutiv, dhe të: Halil Maçit, Abas Ermenjit, Vasil Antonit, Gaçi Gogos, Gani Tafilit, Asllan Zenelit, Isan Toptanit, Muharrem Bajraktarit, Hysni Mulletit dhe Ekrem Telhajt që përbënin Komitetin e Përgjithshëm të K. K. SH. L.-së për t’i zbutur ato. Thelbi i këtyre problemeve, edhe pse kishte edhe arsye të tjera, qëndronte në karakterin dhe natyrën e K. K. SH. L.-së që nga amerikanët konceptohej më shumë si një organizatë e tipit politiko-ideologjik se sa kombëtar. Amerikanët kishin nevojë për një organizatë që do të merrte përsipër përmbysjen e regjimit komunist e jo të krijonte probeleme të tjera në rajon, siç ishte ideja themelore e nacionalistëve shqiptarë: krijimi i Shqipërisë etnike. Amerikanët kërkonin prakticitet të veprimit politik e që nënkuptonte veprimin në funksion të qëllimit themelor: përmbysjen e regjimeve komuniste. Për këtë arsye ata donin që K. K. SH. L. të ishte sa më gjithëpërfshirës, e me këtë nënkuptonin inkorporimin e Ndue Gjomarkajt në Komitet si një personalitet me ndikim në veri të shtetit aktual shqiptar, sidomos në Mirëditë dhe në zona përreth, ku edhe planifikoheshin zbarkime të grupeve të ndryshme shqiptarësh që do të bënin përmbysjen e regjimit komunist. Hasan Dosti që e kishte zëvendësuar Mitat Frashërin, i cili kishte vdekur më 3 nëntor 1949, ishte gjendur në vështirësi organizative dhe kadrovike, pikërisht për shkak të trysnisë që i vinte nga Balli. Vetëm më 1954 u arrit që të miratohet dokumenti themeltar i këtij Komiteti, e që është Statuti i K. K. SH. L.-së së riorganizuar. Ky Statut, që ishte nënshkruar nga: Muharrem Bajraktari, Halim Begeja, Xhelal Bushati, Qazim Çakerri, Selim Damani, Ferid Dervishi, Fiqiri Dine, Hasan Dosti, Ibrahim Farka, Ragip Frashëri, Athanas Gegaj, Vasil Gërmenji, Gaço Gogo, Prenk Gruda, Ndue Gjomarkaj, Ali Këlcyra, Atlant Koçi, Seid Kryeziu, Petro Ktona, Abaz Kupi, Eduard Liço, Koço Muka, Hysni Mulleti, Ndue Zef Ndoci, Niko Papalilo, Theodor Papalilo, Ismail Sefa, Myftar Spahia, Ymer Sharra, Spiro Sheko, Gani Tafilaj, Ferdin Toptani, Ismail Vërlaci, Lil Verria, Eqrem Vlora, Nuredin Vlora, Tahir Zajmi, Asllan Zeneli dhe Qani Lesko, përbëhet prej 7 pikave, në të cilat përcaktohet struktura organizative dhe qëllimet programatike të tij. Në pikën 1, demonstrohet vullneti për të krijuar Komitetin Kombëtar. Në pikën 2 tregohet struktura organizative e tij e që përbëhet prej Komitetit të Përgjithshëm që “do të përfaqësojë të gjithë elementat e ndryshëm anti-komunistë dhe antitotalitare, brenda dhe jashtë atdheut”, anëtarët e të cilit do të zgjidhen çdo vit në muajin maj, dhe prej Komitetit Ekzekutiv “i cili do të drejtojë punët e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” dhe i cili përbëhet nga 14 anëtarë. Në pikën 3, përsëritet vullneti për bashkëpunim me elementet antikomunistë e antitotalitarë brenda dhe jashtë atdheut, përshkruhen të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të K.K. SH. L.-së. Neni 4 është neni që përcakton qëllimin themelor të K. K. SH. L.-së. Sipas këtij neni “Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” ka për qëllim të sigurojë me të vërtet indipendencën dhe integritetin tokësor dhe kombëtar të Shqipërisë si dhe sovranitetin e shtetit në gjirin e Kombeve të Bashkuara.”. Pra, nuk ka Shqipëri etnike, por vetëm indipendencë dhe integritet të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Këtë nen e plotëson neni 5 dhe neni 7. Sipas nenit 5 K. K. SH. L. angazhohet për zgjedhje të lira dhe për marrëdhënie ndërkombëtare në bazë të Kartës së Atlantikut, pra të OKB-së. Kurse sipas nenit 7, K. K. SH. L. e përcakton veten si lëvizje çlirimtare e jo si qeveri në mërgim. Bile si fazë kalimtare, apo siç thuhet saktësisht aty, si “interval i ndërmjemë”, ky Komitet i propozonte OKB-së këto masa që ajo i quan program: “a). Që mbas çlirimit të Shqipërisë Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” të caktohet si Komision i Kombeve të Bashkuara; b) Që ky komision i Kombeve të Bashkuara të jetë përgjegjës për administrimin e punëve të Shqipërisë gjatë periudhës ndërmjet çlirimit dhe zgjedhjes së një qeverie të re; c) Që ky Komision i Kombeve të Bashkuara të jetë përgjegjës për të mbikëqyrur zgjedhjet e lira, të cilat do të mbahen jo më vonë se një vit pas çlirimit të atdheut dhe nga të cilat do të dali forma e qeverimit, Kryetari i shtetit dhe Asamblea Kombëtare. Këto zgjedhje do të mbahen nën garancitë e Kombeve të Bashkuara; ç). Që menjëherë pas mbarimit të këtyre zgjedhjeve të lira, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” do të marrë fund si Komitet dhe si Komision i Kombeve të Bashkuara dhe do t’u japë llogari të plotë për veprimtarinë e vet krerëve përgjegjës të qeverisë shqiptare të zgjedhur rishtas.”. Kaq. Përmbysje e regjimit, zgjedhje të lira, vendosje të një qeverie demokratike dhe pikë. Neni 6 është vetëm për të plotësuar këto, pasi që bën të qartë se K. K. SH. L. do të angazhohet vetëm të mos hyjë në marrëveshje që mund të rrezikojnë “të drejtat e popullit dhe të shtetit shqiptar.”. Me këtë Komiteti, i cili tanimë përbëhej edhe nga ish-pjesëtarë të Bllokut Kombëtar Independent, deklaron edhe fundin e veprimtarisë se pjesës së mbetur të klasës politike shqiptare jokomuniste të kohës. Ndoshta do të ndodhte kështu sikur të kishte pasur sukses përmbysja e regjimit komunist të Tiranës. Por nuk ndodhi kjo, prandaj veprimtaria e Komitetit vazhdoi në forma të ndryshme dhe në kontekste gjeopolitike të ndryshme, por me një ndikim shumë të vogël. Edhe pse kishte mbështetjen amerikane, edhe pse në planin propagandistik kishte edhe përkrahjen e “Evropës së Lirë”, por edhe kishte organin e saj “Shqipëria”, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” nuk arriti të realizonte qëllimet për shkak të kontekstit gjeopolitik në relacionet SHBA – Evropë Perëndimore dhe SHBA – BRSS. Në këtë kontekst duhet thënë se jo nga të gjithë aleatët shihej me sy të mirë angazhimi amerikan rreth përmbysjes së regjimit komunist në Tiranë. Francezët për shembull, me shumë bujë njoftuan opinionin ndërkombëtar për krijimin e një organizate të emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi. Duhet thënë se menjëherë pas themelimit të K. K. SH. L-së, jugosllavët organizojnë një grupacion me emigrantët shqiptarë në Prizren e Pejë, të përbërë nga Gani Bej Kryeziu, vëllai i Seid Kryeziut, Bajram Bajraktari, vëllai i Muharrem Bajraktarit, Cen Elezi, Dan Kaloshi dhe Caf Bej Ulqinaku. Gjatë kësaj kohe u krijua edhe organizata “Bashkimi Politik i të Arratisurve të Shqipërisë”, e cila për dallim nga Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” ishte shpallur qeveri në mërgim. Kjo organizatë kryesohej nga Apostol Tanefi. Francezët, sidomos mediat e tyre i bënë publicitet të madh dhe arritën që ta bindin opinionin ndërkombëtar se është një ushtri e tërë me mbi 50 mijë veta që do të marshojë drejt Tiranës. Në këto rrethana, u krijua një situatë e pafavorshme për Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, pasi që veprimet e Beogradit me “Bashkimin Politik të të Arratisurve nga Shqipëria”, kishin ngjallur edhe reagimet e Moskës, të cilës Tirana zyrtare i ishte mbështetur kokë e kombë, si dhe të disa qarqeve të ndryshme në Evropë. Rusët neutralizuan jugosllavët, por këta të fundit arritën të neutralizojnë edhe Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë” edhe pse anëtarët e saj kishin bërë disa zbarkime dhe disa të tjera të mbetura në tentativë për të zbarkuar në shtetin aktual shqiptar. A ka qenë vërtetë qëllimi i Beogradit që t’i përdorë emigrantët shqiptarë që ishin arratisur në Kosovë për ta përmbysur njëmend regjimin e Enver Hoxhës, apo këtë e kishte bërë për ta nxjerrë jashtë loje Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, është një pyetje që pret përgjigjen e saktë, por ajo që mund të thuhet tashmë, cilido që do të ketë qenë qëllimi i tij, Beogradi diti t’i përdorë mirë shqiptarët e arratisur nga shteti aktual shqiptar për qëllimet e tij. Pas kësaj, rëndësia e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” për amerikanët shkoi duke u zvogëluar, e me këtë edhe përkrahja e tyre për këtë Komitet shkoi duke rënë deri në zero. Kjo ndodhi edhe për shkak të konteksteve të ndryshme gjeopolitike, edhe për shkak se si sovjetikët, ashtu edhe jugosllavët shovinizmin, hegjemonizmin dhe pushtimin e kishin bërë politikë shtetërore për realzimin e të cilës kujdeseshin institucionet shtetërore. Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, megjithatë ishte organizatë e përbërë nga rrënojat e klasës shqiptare jokomuniste që nuk mund të ishte në hap me zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe në botë. Komiteti ëndërronte përmbysjen e regjimit komunist në Tiranë dhe vendosjen aty të një qeverie demokratike e cila do të fillonte të bënte politikë shtetërore. Kjo ëndërr e tyre nuk u realizua deri në vitet ’90, kohë kur shumica e themeluesve të saj kishin vdekur të vetmuar, ose në shoqërinë e ndonjë shqiptari të diasporës të frymëzuar nga ligjërimet emocionale të tyre. Ishin të paktë ata që arritën të shohin përmbysjen e regjimit komunist në Tiranë dhe në Prishtinë, kurse ëndrra tjetër e tyre për zgjedhje të lira dhe për vendosjen e një qeverie të mirëfilltë demokratike dhe që i mbron me sinqeritet interesat e popullit dhe të shtetit shqiptar, ende pritet të realizohet.

Kthehu tek faqja Kryesore1

Copyright © 2006 nue_oroshi@yahoo.de

[FAQJA KRYESORE] [E DJATHTA SHQIPTARE] [KUMTESA] [AKTIVITETE] [LIBRAT E BOTUARË] [MATERIALE] [SESIONET] [OPINIONE] [RECENZIONE] [KULTUR] [PORTRETE] [STAFI DREJTUES] [ALBUMI FOTOGRAFIKË] [LIBRI VIZITORVE] [KONTAKT]